Kusari-Lila: Disa drejtorë shkollash bojkotuan Drejtorinë e Arsimit
Pasi pothuajse ka përfunduar procesi i plotësimit të vendeve të zbrazëta të mësimdhënësve në të gjithë shkollat e komunës së Gjakovës dhe janë plotësuar të gjitha orët mësimore, në procesin e verifikimit priten të kalojnë edhe drejtorët e shkollave.
Këtë e ka konfirmuar për Radio Gjakovën kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, e cila ka bërë të ditur se ka dyshime të bazuara se shumë drejtorë janë vënë në ato pozita pa plotësuar as kushtet minimale që kërkon një pozitë e drejtorit të shkollës.
E një arsye tjetër për këtë proces është edhe dyshimi se disa prej këtyre drejtorëve në vazhdimësi kanë tentuar ta bojkotojnë punën e Drejtorisë Komunale të Arsimit.
Sipas kryetares Kusari-Lila, rast konkret i këtij bojkoti është edhe vonesa, sipas saj e qëllimshme, e lajmërimit të vendeve të zbrazëta dhe nevojës për plotësim të orëve.
Ky veprim i drejtorëve, sipas Kusari-Lilës ka bërë që edhe konkurset e fundit të vonohen dhe të ndodhin disa ditë pas fillimit të vitit shkollor.
Ndryshe, akuza për emërime politike të drejtorëve ka pasur edhe në të kaluarën, në kohën kur subjektet politike që tashmë udhëheqin me komunën e Gjakovës, kanë qenë pjesë e opozitës.