Shteti në bllokadë!
Moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës ka bërë që të paralizohet puna e 30 agjencive, këshillave dhe bordeve të pavarura.
Kjo për faktin se ato janë të varura kryekëput nga organi ligjvënës në vend, pasi prej tij e marrin bekimin anëtarët e tyre.
Kësisoj zvarritja e zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, tashmë ka filluar të japë pasojat e veta përmes mosfunksionalizimit të këtyre bordeve e agjencive e të cilat janë të një rëndësie të veçantë për funksionalizimin e shtetit.
Këto institucione, edhe kështu siç janë, aktualisht s’kanë kujt t’i japin llogari për veprimet apo vendimet eventuale që mund t’i marrin.
Rasti i fundit është vendimi i marrë nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, rritje e cila ka aktivizuar shoqërinë civile për t’i thënë jo përmes një peticioni i cili ka filluar të realizohet në nëntë komuna të Kosovës.
Analisti politik Fisnik Korenica, në një prononcim dhënë Tribunës, ka thënë se këto institucione të cilat janë duke funksionuar pa mandat të plotë meqë tashmë iu ka skaduar mandati, duhet të kenë kujdes për mënyrën se si veprojnë dhe për vendimet që mund të marrin. /Tribuna/