Isa Mustafa i del në mbrojtje Enver Hasanit
Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, i propozuar për kryetar të Kuvendit të Kosovës, nga koalicioni LAN, ka dalë në mbrojtje të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani
Hasani sot në mëngjes ka paraqitur në polici kërcënime dhe shantazhe që i kanë ardhur nga adresa të ndryshme, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi vendimin e Kuvendit të Kosovës, ku Isa Mustafa u zgjodh kryetar.
Një portal dje kishte raportuar një lajm se kryetari Hasani është i shantazhuar nga një video, e cila tregon për një aferë të kryetarit me një vajzë të mitur.
Hasani e ka mohuar këtë dhe e ka paraqitur si shantazh të radhës ndaj punës së tij, në institucionin më të lartë juridik në vend.
Lidhur me këtë ka reaguar edhe Isa Mustafa, i cili përmes një postimi në Facebook ka thënë se, këto forma të shantazhit nuk i kontribuojnë punës së institucioneve që duhet të jenë të pavarura.
“Konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës, si rezultat i zgjedhjeve të fundit, ka vlerë dhe duhet të bëhet duke respektuar garën politike dhe vullnetin politik të shumicës.
Manipulimi dhe shërbimi me shantazhime të individëve apo të institucioneve që duhet të jenë të pavarura nuk i kontribuon këtij procesi dhe është në kundërshtim me idenë për institucione të pavarura”, ka shkruar Isa Mustafa.