Halil Matoshi kosovar apo shqiptar?

fotoXR3FWFK6Mehmet Latifi

Racizmi, antishqiptarizmi dhe lokalizmi i shprehur publikisht nga Halil Matoshi, duke “arbitruar”, ose më mirë të them duke vënë “snajperin e tij në pritë” më kujton shumë momente, shumë njohuri, shumë gjëra nga një sistem i kaluar-i tashëm antishqiptar, dhe atë pikërisht duke rikujtuar disa paraqitje publike të Halil Matoshit lidhur me gjuhën, kombin, shtetin…

I madhi Johann Wolfgang von Goethe mes tjerash thotë (mbase po e parafrazoj): “Zemra ime ka dy dhoma, në njërën flenë gëzimi e në tjetrën hidhërimi, mos ma tepro gëzimin se ma zgjon hidhërimin…”…dhe “Çfarë gjermani është ai gjerman i cili nuk flet ashpër gjermanisht dhe nuk e mbron ashpër gjermanishten…”

Tani, Halil Matoshi “nga gëzimi” i madh na i zgjoi hidhërimin, ndërsa sa i përket gjuhës, ai që moti është deklaruar edhe publikisht se ka “gjuhë kosovare” ka “komb kosovar” ka shtet kosovar…

Për sa i përket shtetit të Kosovës të gjithë së paku për momentin jemi dakord. Mirëpo, kur është fjala për gjuhën, kulturën, kombin, këtu patjetër të përplasemi me secilin HALIL sepse nuk kemi dy kombe shqiptare, dy gjuhë shqiptare, dy kultura shqiptare. Analoge me këtë, çfar kombi kanë pra Korea e Jugut për dallim nga Korea e Veriut…ose Jemeni Verior me Jemenin Jugor…?

Po ti lëmë këto. Mirëpo racizmi i shprehur publikisht i Halil Matoshit, duke dashur të bëhet “intermediator” ndërmjet dy “auslanderëve kontaminues” siç i quan Halil Matoshi Hivzi Islamin dhe Rexhep Qosja dhe pasi e lexova këtë pasus, të le pa koment dhe të shtyen shumë thellë të mendosh. Halil Matoshi ndër tjera shprehet: “Dhe, në anën tjetër, ta lexosh një profil për Qosjen dhe pyetësorin prej 55-pyetjeve, që kosovari po aq i natyralizuar Hivzi Islami (nga katundi Letovicë i Bujanocit) ia bë Qosjes, s’ke se si t’i shmangesh një ligështimi – e të të mos rrok një sëkëlldi – e të pështysh në këtë tokë të nëmur, e t’bërë lëmë thiu. E ritheksoj, ky ambient mendërisht i kontaminuar është produkt kryesisht (me disa përjashtime) i kosovarëve të natyralizuar, që krejt çka kanë dhe çfarë kanë bërë në jetët e tyre e kanë realizuar në Prishtinë, përkatësisht në Kosovë”,

Dhe më pas vihet edhe në mbrojtje të njërit, duke i vënë në ngarkesë tjetrit- që të dy akademik (gjë që nuk është as në kompetencat e as në nivelin e vlerësimit dhe të komunikimit të tillë prokuroristik të Halil Matoshit) duke thënë: “E kush mund ta detyrojë Qosjen – cila instancë për t’iu përgjigjur në këtë “pyetësor”? Askush! Dhe kjo s’do të ndodhë kurrë.
Ka në “pyetësor” ngritje akuzash para se këtë ta bëjë ndonjë prokuror, ka gjykim të rëndë pa e thënë fjalën një gjykatë valide, madje ka cenim privatësie, cenim të familjes etj. me të dëgjuara e të thëna, por s’ka as edhe një fakt”.

Komb shqiptar apo kosovar? Gjuhë shqipe apo kosovare? Kulturë shqiptare apo kosovare?
Janë disa nga margaritarët e servuara të Halil Matoshit, që për mua personalisht nuk janë të panjohura nga eksperienca ime modeste.
Jam disi i nxitur të them diçka, mbase asgjë të re, por megjithatë do të sqaroj: Për të krijuar ndasi dhe kufi (pos atyre politik dhe ushtarak) ndërmjet ish Jugosllavisë, -pjesë e së cilës ishte edhe Kosova- dhe Shqipërisë, me sugjerimin e Mosha Pijades, udhëheqësis së atëhershme të Kosovës, u është ofruar modeli i krijimit të Maqedonisë në vitin 1945, (dhe të përsëritur edhe nga Eduard Kardeli pas vitit 1981) duke u distancuar nga gjuha, kombi, kultura bullgare, kështu që edhe kosovarëve u është ofruar “mundësia e Republikës” duke u deklaruar se nuk janë komb shqiptar, por janë komb kosovar; nuk kanë gjuhë shqipe, por kanë gjuhë kosovare; nuk kanë kulturë shqiptare por kanë kulturë kosovare, vetëm e vetëm për ti distancuar shqiptarët nga vazhdimësia dhe tërësia territoriale, kombëtare, gjuhësore, kulturore-pikërisht identike me tezat që po na i paraqet kohë pas kohe Halil Matoshi në mediume.

Për fat të mirë, udhëheqësia e atëhershme kosovare këtë “propozim” të Mosha Pijades dhe Titos e kanë refuzuar me shumë arsyeshmëri, duke mbetur shqiptar, duke ruajtur gjuhën shqipe, duke ruajtur kulturën shqiptare.
Mirëpo, ky recent, ky koncept sot na vjen në faqet e gazetave, në ekranet e televizioneve të shumta-sepse atëherë nuk kishte kaq shumë mediume- na vjen nëpër debate e konferenca, por besa edhe nëpër kënaqe, nëpër dasma e mortje, duke na e imponuar se në Kosovë ka komb kosovar e jo shqiptar, ka gjuhë kosovare e jo shqipe, ka kulturë kosovare e jo shqiptare… dhe tashmë dihen edhe ideatorët dhe mbrojtësit e këtyre teorive antishqiptare, që kohëve të fundit janë fisnikëruar edhe me racizëm të paparë dhe të theksuar nga lokalistët që duan të kultivojnë komb kosovar, gjuhë kosovare, kulturë kosovare, pikërisht sipas recetës dhe preferencave të Mosha Pijades dhe Titos nga viti 1945, ( dhe të ripërtrirur nga Eduard Kardeli pas vitit 1981), por ama tani të modifikuar, pasuruar e fisnikëruar edhe me racizëm.

Pa pretenduar për të mbrojtur askend, sepse ata –secilin për vete- e mbron puna, veprat, dinjiteti dhe autoriteti i vet, por pse Halili dhe halilat aq kozmopolit kosovar e mohojnë punën, kontributin, vlerat e këtyre “ardhacakëve që ia paskan kontaminuar” Kosovën e tij-çifligun e tij personal. Po a harroi “pronari dhe pronarët” e Kosovës, Halili dhe halilët se Kosova ka qenë strumbullari i trurit, dijes, kombëtarizimit, revolucionaritetit, krijimtarisë, veprimtarisë së gjithë shqiptarëve nga trojet e ish Jugosllavisë, nga Kosova Lindore ( që për Halil Matoshin edhe më tej mbetet “Lugina e Preshevës-Preshevska dolina), nga Maqedonia, nga Mali i Zi, dhe për fat të mirë ashtu e kanë kuptuar të gjithë që mendojnë shqip, që flasin siç thotë Goethe ashpër shqip dhe aty kanë dhënë kontributin e tyre në ekonomi, në mjekësi, në shkencë, në arsim, në sport, në kulturë, por besa edhe në politikë, thjeshtë -në të gjitha fushat e jetës.

Pra, sipas, Halil Matoshit e mbase edhe disa hallave të tjerë, duhet bërë “deratizimin” e Kosovës, sepse ndoshta vetëm dekontaminimi nuk do ti ndihmonte sa duhet për të pas komb kosovar, gjuhë kosovare, kulturë kosovare.
Kombi edhe më tej do të mbetet KOMBI SHQIPTAR, gjuha edhe më tej do të mbetet GJUHA SHQIPE e sa për dijeni edhe abetarja është bërë shqipe e jo kosovare-, kultura do të mbetet KULTURA SHQIPTARE.

Guximi intelektual është veti dhe karakteristikë e pranueshme, mirëpo, ai guxim duhet të ketë edhe mbështetje të fuqishme në fakte dhe argumente të qëndrueshme. Nuk është guxim intelektual të mbrohen tezat e Mosha Pijades, Titos e Eduard Kardelit që përsëri lansohen nga qarqet e Beogradit nga rruga “Knez Mihajllova 35- dikur Francuska 7 dhe të denigrohen, poshtrohen, përbalten, njollosen dhe emërtohen me emra e pseudonime të llojllojshme figura dhe personalitete që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën shoqërore, shkencore, arsimore, kulturore dhe ekonomike të Kosovës, që falë edhe miqve në rend të parë të shqiptarëve, Kosova sot është shtet i pavarur, por megjithatë gjuhë zyrtare e ka GJUHËN SHQIPE, gjuhë bartëse e trungut të gjitha gjuhëve botërore.

Pra, po e përsëris Johann Wolfgang von Goethe mes tjerash thotë (mbase përsëri po e parafrazoj): “Zemra ime ka dy dhoma, në njërën flenë gëzimi e në tjetrën hidhërimi, mos ma tepro gëzimin se ma zgjon hidhërimin…”…dhe “Çfarë gjermani është ai gjerman i cili nuk flet ashpër gjermanisht dhe nuk e mbron ashpër gjermanishten…” Po Halil Matoshi kosovar apo shqiptar…?

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: