Policia kap 450 kilogram marihunë të Lazaratit, nisej për Itali
Policia e Gjirokastrës ka sekuestruar mëngjesin e së hënës 450 kilogramë lëndë narkotike, e llojit marihuanë. Dy persona janë arrestuar, në operacionin e koduar si “Range”.
Ata janë Mirjan Muhametaj 31 vjeç dhe 23-vjeçarja me inicialet G. Fejzaj nga Vlora, ndërsa janë shpallur në kërkim shtetasit me inicialet L.T dhe O.D, shkruan shekulli.
Operacioni i policisë është kryer në aksin rrugor Gjirokastër-Subash, ku policia u vu në ndjekje të dy makinave, njëra e llojit “Benz” dhe tjetra “Range Rover”, dhe mundi të ndalojë vetëm drejtuesin e Range Rover-it, së bashku me 23-vjeçaren që ndodhej brenda makinës, ndërsa dy personat që ndodheshin në automjetin tjetër janë larguar në drejtim të paditur. Mësohet se lënda narkotike ndodhej në makinën “Range Rover”, ndërsa ndaloi edhe automjetin tip “Benz”, i cili ishte në rolin e shoqëruesit të makinës ku ndodhej marihuana.
Sipas policisë lënda narkotike ishte marrë në fshatin Lazarat dhe kishte si destinacion Italinë. Ndërkohë policia po vijon kërkimet për kapjen e dy personave të cilët janë përfshirë në trafikun e drogës.