NISMA paraqet deklaratën programore
Këshilli organizator i Nismës për Kosovën ka dërguar një deklaratë programore të kësaj partie, e cila para disa ditëve edhe u themelua.
Më poshtë e gjeni të plotë deklaratën:
Lufta çlirimtare e popullit shqiptar të Kosovës dhe ndihma ndërkombëtare për t’i dhënë fund regjimit diktatorial të Millosheviqit krijuan një kontekst të ri historik në këtë pjesë të Evropës. Riparimi i dëmeve të okupimit shekullor, sidomos i dëmeve të shkaktuara nga forcat e armatosura ushtarake dhe policore të shtetit të Serbisë,për të siguruar kushtet e nevojshme për kthimin e të dëbuarve nga Kosova,ishin prioritet mbi prioritetet e shumta. Tërheqja e forcave të okupatorit nga Kosova hapën rrugën e procesit të demokratizimit të vendit. Për herë të parë në historinë e Kosovës partitë politike orientuan strategjitë e tyre në garën elektorale për të udhëhequr proceset e vendit. Procesi i ndërtimit të institucioneve të Kosovës mbi parimet e funksionimit demokratik mbetën në kompetencat e partive politike. Për këtë arsye, funksionimi demokratik i vetë partive politike del si kusht paraprak për realizimin e këtij qëllimi. Fatkeqësisht, i tërë procesi i themelimit dhe konsolidimit të shumicës së forcave politike të Kosovës u kufizua vetëm në disa aspekte procedurale. Demokracia si vlerë mbeti jashtë dyerve të partive politike dhe për pasojë edhe jashtë jetës institucionale!
Logjika despotike që karakterizoi themelimin dhe konsolidimin e shumicës së partive politike në Kosovë dhe sidomos privilegjet individuale apo grupore që krijon forma e tillë e funksionimit, shpjegon edhe mungesën e vullnetit politik për të organizuar zgjedhje të lira në përputhje me normat dhe standardet e demokracive perëndimore. Nisma për Kosovën do të sigurojë të gjitha kushtet politike dhe materiale për të garantuar mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike në tërë vendin. Sigurimi i mjeteve dhe teknikave më të sofistikuara për transparencën elektorale janë kushte të domosdoshme për të garantuar se çdo votë e qytetarit do t’i shkojë përfaqësuesit të zgjedhur nga ai. Krahas kësaj, ne do të mbështesim të gjitha masat tjera për të pamundësuar vjedhjen e vullnetit politik të qytetarëve të Kosovës.
Mënyra e funksionimit autoritar në radhët e partive politike, e cila u bart në institucionet e shtetit u shndërrua në pengesë kryesore për ndërtimin e Kosovës si shtet i së drejtës. Autoritarizmi, despotizmi, tirania dhe të gjitha mënyrat jodemokratike të funksionimit e ngulfatën aspiratën për funksionimin e shtetit mbi parimin e së drejtës. Privilegjet individuale dhe grupore që krijoi kjo formë e drejtimit të partisë dhe shtetit solli situatën më paradoksale që dikush ka mundur ta imagjinojë pesëmbëdhjetë vite më parë. Në vend të krijimit të kushteve për kthimin e të gjithë atyre që ishin dëbuar nga Kosova, varfëria e skajshme e popullit ka krijuar premisat e tilla ku edhe një pjesë e konsiderueshme e popullsisë ndërmerr veprime të ndryshme kundërligjore për të siguruar emigrimin jashtë vendit. Kjo është pasojë e mospasjes siguri për një jetë më të dinjitetshme në Kosovë. Ne jemi të vetëdijshëm se ndalja e kësaj hemorragjie kombëtare mund të realizohet vetëm përmes krijimit të kushteve ku secili do ta shohë perspektivën e vet në Kosovë. Për këtë arsye, Nisma për Kosovën do të angazhohet me tërë qenien e vet për të favorizuar projektet që krijojnë kushtet e tilla. Një angazhim i veçantë do t’i kushtohet mbështetjes së projekteve që vijnë nga bashkatdhetarët tanë që ndodhen në emigracion, sepse realizimi i projekteve të tyre do të kishte efekte që njëkohësisht të bëhej kthimi i njerëzve që kanë fituar përvoja profesionale dhe intelektuale në shtetet e demokracive perëndimore. Nisma për Kosovën do të kërkojë mbështetje konkrete nga shtetet e Evropës perëndimore dhe SHBA-ve që kthimi i qytetarë tanë të shoqërohet me projekte konkrete, që stimulojnë integrimin dhe hapjen e perspektivave të reja në Kosovë.
Nisma për Kosovën do të hulumtojë dhe gjejë forma të reja të bashkëpunimit në partneritet me vendet e rajonit tonë, sidomos me shtetin shqiptar dhe shtetet fqinje ku jetojnë shqiptarët si dhe do tëndikojë në përshpejtimin e krijimit të tregut tëpërbashkët kombëtar. Jemi të bindur se ky bashkëpunim i ri është domosdoshmëri e kohës dhe interes i të gjitha kombeve të Ballkanit Perëndimor, që bashkëjetojnë në fqinjësi dhe bashkë me shqiptarët. Strukturat udhëheqëse politike të Kosovës e kanë për obligim të mbyllin të gjitha plagët e trashëguara nga e kaluara dhe një gjë të tillë mund ta bëjnë vetëm përmes funksionimit mbi vlerat dhe parimet demokratike. Nisma jonë kërkon bashkimin dhe besimin e qytetarëve të Kosovës për t’i bërë ndryshimet demokratike që i duhen vendit tonë. Për Nismën është e papranueshme që edhe pesëmbëdhjetë vjetpas përfundimit të luftës më se 1725 shqiptarë, viktima të luftës, ende ndodhen nëpër varreza masive në Serbi. Kthimi i eshtrave të tyre, ndriçimi i krimeve të kryera dhe sjellja e kriminelëve para drejtësisë janë prioritet në angazhimin tonë. Realizimi i këtyre objektivave tejet humane krijon premisat e domosdoshme për të mbyllur kapitullin e përgjakshëm ndërmjet dy shteteve dhe hapjen e perspektivave të reja për rajonin.
Për Nismën është po aq e papranueshme kur edhe pesëmbëdhjetë vjet pas përfundimit të luftës, pushteti në Serbi nuk i kthen paratë e plaçkitura të Fondit Pensional të Kosovës. Ne do të angazhohemi që çështjen e pensionistëve të Kosovës dhe plaçkitjes së fondeve të tyre ta ngremë në nivel ndërkombëtar si çështje që duhet të zgjidhet urgjentisht. Në këtë drejtim do të kërkojmë nga BE-ja dhe SHBA-të që të ndërmjetësojnë për gjetjen e një zgjidhjeje sa më të shpejtë dhe, së këndejmi Nisma është e bindur se mund të tejkalohet ky problem dhe pensionistëve t’u kthehet e drejta e tyre, në mënyrë retroaktive. Nisma do të angazhohet që Ligji për të drejtat e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë dhe Ligji për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, të invalidëve, të veteranëve, të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave civile dhe të familjeve të tyre të zbatohet pa asnjë neglizhencë dhe që këto kategori të realizojnë të drejtat e tyre. Për Nismën, ndërtimi i mirëfilltë i shtetit të së drejtës është bazamenti që garanton hapjen e perspektivave ekonomike në interes të mirëqenies së qytetarëve, edukimin dhe arsimimin e të gjitha niveleve shkollore në përputhje të plotë me të arriturat shkencore dhe pedagogjike të demokracive perëndimore, përkujdesje të tillë shëndetësore ku jeta dhe dinjiteti i njeriu është në qendër të vëmendjes.
Përkatësia gjeografike e Kosovës si pjesë e Evropës arsyeton ambicien e popullit tonë drejt integrimit sa më të shpejtë në strukturat politike të Bashkimit Evropian. Duke ndërtuar shtetin e së drejtës në Kosovë dhe duke funksionuar në përputhje me parimet dhe vlerat që janë në themelet e institucioneve politike të Bashkimit Evropian, si NISME garantojmë dhe angazhohemi për perspektivën e sigurt evropiane. Ndërtimi i Kosovës dhe rruga e integrimeve evropiane janë obligim i strukturave politike, edukative, arsimore, shkencore dhe i shoqërisë kosovare në përgjithësi. Përmbushja e obligimeve tona hap rrugën drejt integrimeve në strukturat politike dhe të sigurisë euroatlantike. Kosova ka nevojë për një arsimim cilësor që fëmijët tanë të pajisen me kulturë, vlera dhe njohuritë më të reja shkencore. E kemi për obligim që gjeneratat e reja t’i aftësojmë të jenë të përgatitura t’u bëjnë ballë sfidave të reja me të cilat do të ballafaqohen në procesin e globalizmit dhe të integrimeve.
Për t’u realizuar ky qëllim, institucioneve edukative-arsimore duhet t’u garantohet liria e plotë administrative, pedagogjike dhe e menaxhimit. Ne konsiderojmë të papranueshme dhe tejet të dëmshme çdo ndërhyrje të partive politike në këto çështje. Zhvillimet e fundit në Universitetin “Hasan Prishtina” janë dëshmia më e mirë se politizimi i Arsimit në përgjithësi duhet të ndërpritet. Së këndejmi, liria profesionale dhe mbështetja e nevojshme me qëllim ngritjeje substanciale mund të garantojnë vendosjen e këtyre institucioneve në binarët që do të përshpejtonin rrugëtimin tonë drejt integrimeve euroatlantike.
Nisma do të mbështetë me të gjitha mjetet dhe format që sistemi i edukimit dhe arsimimit të Kosovës të jetë në përputhje të plotë me vlerat dhe njohuritë më të reja në të gjitha fushat e dijes. Në këtë drejtim, një përkrahje e veçantë do t’i kushtohet ofrimit të mundësive që përmes trajnimeve të vazhdueshme kuadri edukativ dhe arsimor të përvetësojë mjetet dhe teknikat pedagogjike të shoqërive më të zhvilluara demokratike në botë. Orientimet e forcave politike relevante evropiane (si të spektrit politikë të djathtë, ashtu edhe atij të majtë) angazhohen për të ndërtuar Evropën ekonomike dhe sociale. Si rezultat i ekonomisë së tregut, i strukturave adekuate dhe garantimi i të drejtave sociale në Bashkimin Evropian kanë arritur rezultatet të konsiderueshme në të gjitha fushat e jetës. Ky solidaritet, që shprehet me kohezionin ekonomik dhe social, siguroi prosperitetin e gjithanshëm të cilin e aspiron çdo shoqëri.
Për ta ndërtuar Kosovën mbi këto parime, NISMA angazhohet që ekonomia jonë të bazohet në struktura të mirëfillta të tregut dhe në të njëjtën kohë të merren parasysh dimensioni social e humanitar si dhe ai i mjedisit. NISMA përveç rishikimit profesional që do t’u bëjë politikave fiskale e ekonomike për zhvillimin e vendit, një vëmendje të shtuar do të ketë edhe për politikat e deritashme në procesin e privatizimit, të cilat politika nuk kanë pasur asnjë efekt ose kanë pasur efekte tepër anësore në zhvillimin ekonomik të vendit si dhe në zbutjen e papunësisë në Kosovë. Papunësia edhe pesëmbëdhjetë vjet pas lufte, si dhe gjashtë vjet pas pavarësisë vazhdon të krijojë probleme të mëdha sociale, si për familjet ashtu edhe për shtetin tonë.
Solidariteti ishte shtylla kryesore mbi të cilën u mbështet populli i Kosovës përballë politikës së diskriminimit racial që aplikoi regjimi diktatorial i Millosheviqit. Kjo frymë e ndihmës reciproke mundësoi të ndërtohet një sistem paralel i arsimit, përkundër okupimit të objekteve arsimore, të ndihmohen nevojtarët, të organizohet dhe të mbështetet lufta çlirimtare etj. Solidariteti qëndron në themelet e institucioneve euroatlantike dhe falë këtij solidariteti të demokracive perëndimore, Kosova doli nga një regjim i egër diktatorial.
NISMA do të kultivojë frymën e solidaritetit, duke afirmuar unitetin njerëzor jo vetëm mes gjeneratave aktuale. Ky solidaritet dhe afirmim do të shtrihen pandalshëm edhe në gjeneratat që vijnë pas nesh. Një ndër angazhimet me prioritet për NISMEN do të jetë krijimi i kushteve të domosdoshme që përkujdesja shëndetësore të jetë në nivelin më të mirë të mundshëm, ku secilit qytetar të Kosovës t’i mundësohet kujdesi dhe trajtimi i nevojshëm dhe në kohën e duhur, sepse sëmundja dhe burokracia nuk shkojnë bashkë. Këto objektiva nuk mund të realizohen pa një angazhim të madh politik te qytetarëve, i cili do të çrrënjoste format jodemokratike të funksionimit të institucioneve tona. Për këtë arsye, thërrasim të gjithë ata që nuk pajtohen me format e deritashme të funksionimit politik e institucional të mobilizohen dhe së bashku ta ndërtojmë platformën politike të zhvillimit për të cilën sot ka nevojë Kosova.