Me 20 mars vendimi për Nazim Bllacën
Nazim Bllaca u dënua me katër vjet e gjashtë muaj burg më 19 korrik të vitit që shkoi. Prej tyre, do të vuajë një vit më pak. Trupi gjykues në marrjen e aktvendimit ia llogariti një vit të qëndrimit të Bllacës nën masën e “arrestit shtëpiak”, nga nëntori 2009 deri nëntor 2010.
Bllaca, pretendon se gati edhe tri vitet sa qëndroi nën sigurinë e mbrojtjes së afërt, t’i kalkulohet si “arrest shtëpiak”. Nëse do të pranohej kjo nga gjykata, atëherë për vrasjen e Ibush Kllokoqit me 3 gusht 1999 në Prishtinë, praktikisht Bllaca do të vuante vetëm gjashtë muaj burg.
Parashtresa për t’iu llogaritur tre vjetët e fundit të “sigurisë së mbrojtjes së afërt”, si “arrest shtëpiak”, është dorëzuar 26 korrik 2013 nga avokati mbrojtës i rastit tek prokurori i EULEX-it si dhe trupi gjykues i rastit, përmes të cilës ka kërkuar që të dënuarit gjithashtu të i llogaritet koha e kaluar nën mbrojtje kundrejt dënimit.
Nga zyra për informim e EULEX-it është konfirmuar se Havolli më 22 tetor 2013, në Gjykatën e Apelit, ka paraqitur apelin kundër aktgjykimit ku përsërit kërkesën e tij që koha e kaluar nën mbrojtje të llogaritet kundrejt dënimit. “Rasti është transferuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës tek Gjykata e Apelit më 13 nëntor 2013, dhe është regjistruar me Njësitin e Gjykatësve të EULEX-it më 14 nëntor 2013”, thuhet në p[ërgjigjen e EULEX-it për “Tribunën”. Në anën tjetër avokat Havoli ka deklaruar se në lidhje me këtë çështje, së bashku me klientin, ndodhën në pozitë të vështirë.
“Ky është si të themi, rast sui-generis (i veçantë) sepse nuk ka bazë ligjore që masa e mbrojtjes së afërt të llogaritet si ‘arrest shtëpiak”, thotë Havolli. Megjithëkëtë, ai e pranon se duhet shikuar disa mundësi të tjera. “Duhet të shikohet mundësia që kjo të kërkohet sipas të Drejtave të Njeriut, apo Konventave Evropiane sepse masa e mbrojtjes së afërt në të cilën Bllaca ka jetuar, ka qenë edhe më e rëndë se vetë ‘arresti shtëpiak”, thotë avokati Havolli. Ai nuk specifikoi se në cilën konventë mund të bazohej parashtresa, shkruan Tribuna.
Ai tregon se në masën e “sigurisë së mbrojtjes së afërt”, i dënuari Bllaca ishte nën kontroll të rreptë e s’mund të lëvizte askund. “Kjo masë gati ia kalon edhe arrestit shtëpiak”, thotë avokati. Në seancën e 19 korrik 2013, kur Trupi Gjykues i përbërë nga gjyqtarë të EULEX-it dhe vendorë, shpalli Bllacën fajtor për veprën penale të “vrasjes së rëndë në bashkëkryerje”, Gjykata përfilli edhe një parashtresë së prokurorit të rastit, Mauricio Salustro. Nëpërmjet një shkrese drejtuar Trupit Gjykues, pala e akuzës kërkoi që deri në marrjen e një vendimi të formës së prerë, i dënuari Bllaca të mbahet nën masën e “arrestit shtëpiak”. Kjo në fakt llogaritet edhe si fillim i shlyerjes së dënimit të tij prej 4 vjet e 6 muaj burg. /standardi.info