Krasniqi: Koha e fundit që të ndryshojë qasja e politikbërjes
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, e ka vlerësuar sfidues për Kosovën vitin 2013. Në intervistën për “Epokën e re”, Krasniqi ka thënë se është koha e fundit që në Kosovë të ndryshojë qasja e politikbërjes. “Qasja e politikbërjes duhet të ndryshojë shumë për të qenë viti 2014 më i mirë sesa ishte viti 2013. Nëse viti 2014 arrin të krijojë disa premisa pozitive në zhvillimin e demokracisë dhe sjell një qasje të re ndaj proceseve demokratike që pritet të ndodhin, do ta konsideroja vit të mirë”, është shprehur Krasniqi. Në këtë kontekst, Krasniqi ka thënë se gjatë vitit 2014 Kosova, krahas zhvillimit ekonomik dhe papunësisë, do të ballafaqohet me shumë sfida, duke përshirë edhe anëtarësimin e vendit tonë në OKB. “Edhe në planin e jashtëm do të kemi sfida. Në këtë rast do ta veçoja anëtarësimin e Kosovës në OKB, e cila vendit tonë do t’i bëjë pengesa të mëdha në shumë mekanizma ndërkombëtarë si dhe rruga e integrimeve euroatlantike”, ka deklaruar Krasniqi.
Duke iu referuar zhvillimeve politike në Kosovë, sidomos në Kuvend, kryeparlamentari Krasniqi ka thënë se jo vetëm që i është mërzitur politika, por është i është gërditur.
“Si është zhvilluar politika në legjislaturën e fundit jo vetëm se më është mërzitur, por më është gërditur. Politika kërkon ide dhe përkushtim. Gjatë vitit që po e lamë pas nuk e kemi parë as njërën e as tjetrën”, ka thënë Krasniqi.
Kryeparlamentari Krasniqi nuk e ka pohuar e as mohuar se në vitin 2014 do të krijojë parti politike. Ai ka thënë se ky vit do të sjellë risi në planin politik. “Viti i Ri 2014 sigurisht do të sjellë risi në planin politik”, është shprehur Krasniqi. /Epoka e re/