Strukturat paralele sfidojnë zbatimin e IBM-it
Udhëtimi përgjatë magjistrales së Ibrit për në pikën kufitare në Jarinje, ende mbetet i pasigurt për të gjithë qytetarët e sidomos ata shqiptarë. Këtë pasiguri e shkaktojnë ende strukturat ilegale serbe në disa lokacione, të cilat janë të vendosura në kontejner dhe bëjnë roje, siç thonë ata, për të mos lejuar shtrirjen e autoritetit të Kosovës në pikat kufitare 1 dhe 31. Por, jo gjithçka mbetet jashtë kontrollit.Komandanti i pikës kufitare në Jarinje, Skënder Sadiku, thotë se të gjithë personat që kalojnë në këtë pikë kufitare, nënshtrohen kontrolleve të rrepta. Por, problem për policët dhe doganierët kosovarë mbetet transporti. Për shkak të kundërshtimit të serbëve në veriun e Mitrovicës, ata ende transportohen me helikopter.
“Bashkëpunimi me palën serbe është mjaft i mirë. Ne zhvillojmë takime të përbashkëta me policinë serbe në nivel lokal për ti bashkërenduar veprimet për punën e përbashkët që bëjmë në këtë pikë kufitare. Deri me tani gjithçka po zbatohet ashtu si duhet kërcënime nuk kemi pasur të gjithë personat që futën në Kosovë i nënshtrohen kontrolleve dhe ligjeve të Kosovë”, theksoi Sadiku.
Edhe përfaqësues të Doganës së Kosovës thonë se në këtë pikë kufitare, sikurse edhe në kufijtë e tjerë me Serbinë, po bëhet zhdoganimi i mallrave që hynë në Kosovë. Sipas tyre, të gjitha ngarkesat që hyn në këtë pikë, zhdoganimin e bëjnë në Terminalin doganorë në jug të Mitrovicës.
“Marrëveshja për menaxhimin e Integruar të Kufirit po zbatohet suksesshëm ne këtë pikë kufitare bashkëpunimi me palën serbe është në nivelin e duhur. Të gjitha ngarkesat që futën në këtë pikë kufitare i nënshtrohen kontrolleve doganore dhe bëjnë zhdoganimin e mallit në terminalin doganor në Mitrovicë”, ka theksuar Kamer Canaj, udhëheqës ndërrimi i doganierëve në pikën kufitare Jarinje. Zbatimi i marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit në Jarinje dhe Bërnjakë kishte filluar më 10 dhjetor të vitit 2012. Serbët e veriut në vazhdimësi patën kundërshtuar praninë e zyrtarëve të Kosovës në vendkalimet kufitare, gjë që pati shërbyer si shkas i protestave dhe bllokimit të rrugëve që çojnë drejt këtyre vendkalimeve kufitare./r.b