Ramadani: Rexhepi është sjellë si komandant i njësitit
E plotësuar) Ministri Bajram Rexhepi ndaj të cilit po mbahet mocioni është treguar shpërfillës ndaj akuzave që po i bëhen.
“Këto hetime kanë filluar në 2010. Pastaj, është njoftuar për arrestimin e disa pjesëtarëve, përfshirë edhe disa zyrtarë. Kemi suspenduar përkohësisht zyrtarët e dyshuar dhe suspendimi i kontratës për kompanitë e dyshuara”, ka thënë Rexhepi shkurtimisht.
Deputeti i Alenacës për Ardhmërinë e Kosovës Burim Ramadani i ka kujtuar ministrit Bajram Rexhepi veprimet e tij: “Është sjellë si komandant i njësitit kur jipte urdhra para kamerave”
Ai ka thënë se lista e dështimeve është e gjatë, por prin skandali i pasaportave.
“Kjo është Qeveria më e korruptuar e pasluftës, e në këtë qeveri MPB-ja është Ministria më e korruptuar. Interpelanca e sotme krijon një mundësi të mirë, që korrupsioni të goditet në vendin e krimit, në zonën e krimit, brenda në Ministrinë e Punëve të Brendshme, kjo paraprakisht do të duhej të rrethohej me shirita të verdhë. Kur ka kaq shumë korrupsion në një institucion që duhet ta luftojë korrupsionin, edhe vetë fjala korrupsion bëhet e pa mjaftueshme”, ka thënë deputeti Lëvizjes Vetëvendosje Rexhep Selimi në fjalën e tij në interpelancën për Bajram Raxhepin.
—
Me 71 vota për, 2 abstenime dhe asnjë votë kundër, Kuvendi i Republikës së Kosovës miratoi sot Ligjin për Kontrollin e Duhanit.
Me këtë ligj mbrohet shëndeti publik i gjeneratave të tanishme dhe të ardhshme nga pasojat shkatërruese shëndetësore, sociale, ekonomike dhe mjedisore të konsumimit të duhanit dhe ekspozimit ndaj tymit të duhanit.
Me këtë ligj përcaktohen masat për ndalimin, kufizimin e përdorimit të duhanit të produkteve të duhanit.
Me ligjin e ri, ndalohet pirja e duhanit 100 për qind në hapësira publike, hapësira të punës, mjetet e transportit publik dhe në disa hapësira të hapura të përcaktuara sipas këtij ligji.
Në debatin e zhvilluar në Kuvend gjatë amandamentimit të këtij ligji, Ministri Ferid Agani ka falënderuar të gjithë deputetët që me argumentet e tyre i kanë kontribuar miratimit të këtij ligji të sponzoruar nga Ministria e Shëndetësisë.
—-
Kryeparlamentari Jakup Krasniqi, ka hapur punimet e seancës së re të Kuvendit të Kosovës. Tani koha është për deklarime jashtë rendit të ditës, që do të zgjatë 30 minuta./Indeksonline/
—
Asnjëri nga kandidatët e propozuar për anëtarë të Komisionit të Pavarur për Media, Lumturije Blakaj dhe Driton Qeriqi, nuk i ka fituar votat e mjaftuara për t’u zgjedhur anëtarë. Lumturije Blakaj ka marrë 39 vota ndërsa Driton Qeriqi ka marrë 37. Konkursi për anëtarë të ri të KPM-së, sipas ligjit duhet të përsëritet.
Deputetët kanë shkuar në pauzë deri në orën 13:00.
—
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, i ka njoftuar deputetët se, rreth orës 14:00, Qeveria e Kosovës ka mbledhje të zakonshme dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi do të vonohet për 30 minuta në interpelancë. Rexhepi para deputetëve pritet të raportojë pas orës 14 e 30 minuta.
—
Anëtarët e komisionit kanë filluar numërimin e votave për zgjedhjen e një anëtari të ri të Këshillit të Komisionit të Pavarur për Media.
—
Deputetët kanë filluar votimin për përzgjedhjen e anëtarit të ri të KPM-së. Në garë janë dy kandidatë.
—
Kuvendi ka miratuar propozimet për anëtarët e komisionit që do të merren me zgjedhjen e një anëtari të ri të Këshillit të Komisionit të Pavarur për Media.
—
Në mesin e këtyre kërkesave të cilat në emër të Grupit parlamentar të LDK-së i ka lexuar deputetja Hykmete Bajrami ndër të tjera ka kërkuar që të pezullohet procesi i privatizimit të Postës dhe Telekomit të Kosovës./Indeksonline/
—
Me 38 vota për dhe 38 kundër, deputetët e Kuvendit të Kosovës, nuk kanë miratuar rekomandimet e debatit parlamentar për gjendjen ekonomike në Kosovë, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës./Indeksonline/
—
Kuvendi i Kosovës ka filluar punimet. Në sallë janë 77 deputetë. Në pjesën e parë po votohen rekomandimet e debatit parlamentar për gjendjen ekonomike në Kosovë. /Indeksonline/
—-
Profesorët e së Drejtës Kushtetuese Riza Smaka dhe Xhavit Shala, kanë vlerësuar se edhe nëse kalon mocioni i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili pritet të hedhet sot për votim në Kuvend, nuk mund të përfundojë me shkarkimin e ministrit të MPB-së Bajram Rexhepi.
Sipas tyre për shkarkimin e tij ka të drejtë kushtetuese vetëm kryeministri Hashim Thaçi, shkruan Epoka e Re.
Smaka dhe Shala, interpelancën e Lëvizjes Vetëvendosje e kanë konsideruar më shumë si marketing politik./Indeksonline/
—-
Në seancën e Kuvendi të Kosovës, sot në pjesën e parë pritet të votohen rekomandimet e debatit parlamentar për gjendjen ekonomike në Kosovë.
Kurse, në pjesën e dytë të seancës është paraparë interpelanca e Ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi lidhur me dyshimet për keqpërdorimet në Ministrinë që ai drejton, përfshirë Kontratën e pasaportave biometrike me kompaninë austriake (OESD).
Në këtë interpelancë parashihet edhe votimi i një mocioni që i kërkohet kryeministri të vendit, Hashim Thaçi shkarkimin e ministrit Rexhepi. Por mbetet të shihet se a do të përkrahet ky mocion nga gjitha partitë opozitare, raporton rtk.
Interpelanca e ministrit Rexhepi vjen si kërkesë e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila përkrahet edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës, sa i përket shkarkimit të Ministrit Rexhepi, megjithatë përfaqësues të Partisë Demokratike të Kosovës kanë deklaruar se Kuvendi i Kosovës nuk mund ta shkarkojë ministrin./Indeksonline/