Prokurori kërkon dënimin e Nazmi Mustafit
Gjykimi ndaj ish-shefit të Task Forcës Kundër Korrupsionit, Nazmi Mustafi, dhe të tjerëve ka arritur në fazën përmbyllëse të procesit, atë të dhënies së fjalës përfundimtare. Në seancën e radhës që u mbajt të mërkurën në gjykatën themelore të Pejës, prokurori i çështjes, Cezary Michalczuk, ka rrumbullakuar gjithë procedurën gjyqësore të zhvilluar deri me tani.
Në fjalën e tij, prokurori i EULEX-it ka shtruar rrethanat nga aktakuza, të cilat, siç pretendon ai, e bëjnë Nazmi Mustafin fajtor. Ndërsa, Bajram Tmava, avokati mbrojtës i Mustafit, i ka kundërshtuar të gjitha pretendimet e Prokurorisë, duke thënë se nuk ekziston asnjë provë relevante që klientin e tij do ta shpallte fajtor.
Nazmi Mustafi dhe avokati mbrojtës i tij, Tmava, gjykimin e kanë filluar të irrituar nga prania e dy policëve hetues, Mehdi Kozhani dhe Rifat Gashi. Ata kanë kërkuar largimin e Kozhanit, hetues ky që kishte intervistuar Mustafin, më herët gjatë hetimeve. Po ashtu, Mustafi ka drejtuar gishtin kah Kozhani me akuza se gjatë një bastisjeje që i kishte bërë në shtëpinë e tij, ishte sjellë dhunshëm me familjarët e tij. Mustafi ka paraqitur një dokument mjekësor ku thuhej se ky polic hetues i kishte shkaktuar lëndime vajzës e tij gjatë aksionit. Madje Mustafi ka gjuajtur fjalë të rënda në hetuesin e pranishëm, si publik.
“Ti je i korruptuar, do ta shohësh. Nuk mund ta shoh një hetues që ka hyrë në shtëpinë time me 40 policë të tjerë dhe ky ka lënduar vajzën time”, kanë qenë fjalët me të cilat Mustafi iu ka drejtuar policit.
Ndërsa, avokati Tmava ka kërkuar largimin e tyre nga salla e gjykimit, duke e konsideruar prezencën si konflikt interesi. Ai ka kërkuar sqarime dhe detaje rreth mënyrës së intervistimit, në 2011, dhe intervistimin e Pashk Mirashit, dëshmitarit bashkëpunues të Prokurorisë, pa u marrë aktvendimi për fillimin e hetimeve. Por, kryetari i trupit gjykues, Malcolm Simons, ka vlerësuar se nuk ka arsye për largimin e askujt, me arsyetimin se ky gjykim do të marrë pastaj ngjyrim të një gjykimi sekret.
Përshkrimi i aktakuzës që e rëndon prokurorin Nazmi Mustafi, vëllezërit Reshat e Xhelal Zherka dhe Mirela Ndoci ka qenë përmbajtja e fjalës përmbyllëse të prokurorit Michalszuk. Ai ka thënë se pika e aktakuzës për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizimit, që ngarkon Mustafin në kohën kur po hetonte aferën e Guvernatorit të Bankës Qendrore, Hashim Rexhepi dhe të tjerëve është fuqia e provës.
E kushtëzimi i Pashk Mirashit për kthim në vendin e punës si likuidator i Bankës Kreditore ku kishte qenë i suspenduar, në këmbim të shumës së kërkuar nga ai, përmes vëllezërve Zherka përbën fakt bindës, pretendon prokurori. Po ashtu, kërkimi i 50 mijë eurove përmes vëllezërve Zherka, kinse për shërimin e djalit të sëmurë jashtë vendit, 32,5 prej të cilave kishte arritur t’i merrte nga miqtë e Mirashit faktojnë pretendimin e akuzës, thotë prokurori.
Sipas dëshmive të dhëna në këtë proces gjyqësor, dëshmitari Pashk Mirashi kishte thënë se ishte i shtrënguar nga vëllezërit Zherka për gjetjen e 50 mijë eurove, në emër të Mustafit dhe se ky kishte qenë shantazh për të, që ta kthente në vendin e punës. Ndërsa, kundërvënia e Mustafit kishte qenë që ai ishte pjesë e keqpërdorimeve në emër të bankës ku punonte.
“Strumbullari”, ishte identifikuar kodi me të cilën ndiqej rasti i ish-guvernatorit Hashim Rexhepi dhe të tjerëve. Në atë kohë Mustafi edhe ishte emëruar shef i Task Forcës Antikorrupsion, gjë që, sipas pretendimeve të prokurorit të EULEX-it, kjo edhe e kishte fuqizuar Mustafin. E nga kjo kohë, sipas tij, kishin filluar kontaktet ndërmjet tij dhe vëllezërve Zherka, që çonin në shtrirjen e kushtëzimeve të tij. Prova këto të dala nga komunikimet telefonike që ishin bërë, pretendon prokurori.
Por, pas përfundimit të fjalës përfundimtare të prokurorit, ka folur Bajram Tmava, i cili në fjalën e tij përmbyllëse ka kundërshtuar të gjitha pretendimet që e rëndojnë klientin e tij, Nazmi Mustafi. Ai madje i ka thënë gazetës se fjala e prokurorit nuk ishte asgjë tjetër, pos parafrazim i aktakuzës dhe e pambështetur në asnjë prove të vyeshme.
“E kam paraqitur fjalën përmbyllëse, sot. Fjala përmbyllëse e prokurorit ka qenë vetëm parafrazim i aktakuzës dhe kam ofruar të gjitha provat sipas të cilave gjykata nuk mund të sjellë vendim tjetër pos lirimit të Mustafit ”, ka thënë Tmava për “Kohën Ditore”.
Ndërkohë, gjykata ka caktuar 16 majin si datë kur do të japë fjalën përfundimtare i pandehuri kryesor i këtij rasti, Nazmi Mustafi./Indeksonline/