Ofertimi i PTK-së, çmimi mbahet sekret
Sipas ministrit Besim Beqaj, zarfet me ofertat financiare po ruhen nga policia në një vend të sigurt, e cila është 24 orë e monitoruar nga kamerat dhe do të hapen publikisht gjatë ditëve në vijim. “Ofertat do të jenë të hapura për të gjithë. Kriteret janë të thjeshta, do të fitojë oferta më e lartë financiare. Në momentin kur të bëhet kjo hapje, komisioni do t’i sugjerojë Qeverisë për hapat e mëtejmë”, tha ministri Beqaj.
Sa u përket kompanive në garë, ministri Beqaj tha se sipas informacioneve që ka kompanitë kanë fuqi të mjaftueshme financiare dhe ekipe të fuqishme, ngase në kuadër të konzorciumit Axos janë edhe British Telecom dhe kanë harmonizim edhe me Telecom Italia. Nga ana tjetër, ekspertët e ekonomisë thonë se po përdoren standarde të ndryshme nga ana e Komisionit Qeveritar për privatizimin e PTK-së, pasi që, sipas tyre, standarde tjera janë përdorur me rastin e privatizimit të distribucionit të KEK-ut.
“Ajo çfarë e degradon këtë proces edhe më tutje është edhe përdorimi i standardeve të ndryshme nga ana e Komisionit për Privatizim të PTK, të cilët kanë përdorur standarde tjera me rastin e pranimit të ofertave për KEDS, kur është bërë publike menjëherë edhe çmimi, kurse sot nuk janë bërë publike çmimet e ofertave për PTK-në”, ka thënë për ”Zërin” Agron Demi nga Instituti për Studime të Avancuara “GAP”.
Ndërkaq,Christophe Gehin në emër të ekipit të këshilltarëve të transaksionit tha se kanë mirëpritur faktin që janë pranuar dy oferta për privatizimin e 75% të aksioneve e PTK-së. “Përkundër një mjedisi të vështirë ekonomik procesi i privatizimit të PTK-së ka arritur të sjellë dy ofertues seriozë dhe ne kemi arritur të mbajmë konkurrencën duke iu referuar dy konferencave që kemi mbajtur në Londër dhe Stamboll”, tha ai./r.b