Kërkojnë pronën që Shqipëria ia fali ambasadës së Kosovës
Familjet Mirakaj, Resuli dhe Ademi nga Tirana janë dëshpëruar nga refuzimi i vazhdueshëm i Qeverisë së Shqipërisë për kthimin e pronës së saj të uzurpuar nga shteti. Qeveria në Tiranë, pronën që këto familje pretendojnë se është e tyre, ia ka falur Qeverisë së Kosovës. Objektin kontestues katërkatësh, Qeveria për më shumë se një vit e ka shndërruar në objekt të Ambasadës së Kosovës.
Pas ankesave të shumta në adresë të institucioneve shtetërore në Shqipëri e Kosovë, familjet kanë vendosur që t’i fillojnë protestat para Ambasadës së Kosovës në Tiranë. Këtë për “Koha Ditore”, e ka pohuar njëri nga anëtarët e këtyre familjeve, Edvin Resuli.
“Prona është e shenjtë, ankesat tona kanë hasur në vesh të shurdhër dhe protesta në rrugë pikërisht para Ambasadës së Kosovës, do të jetë veprimi ynë i radhës. Do të protestojmë derisa të na lirohet prona jonë”, theksoi Resuli.
Sipas tij, familjet trashëguese kishin dashur të protestonin edhe në kohën kur Kosova shënoi pesë vjetorin e pavarësisë së saj, por nuk e bënë këtë për shkak se Ambasada e Kosovës gjendet në mes të Ambasadës Ruse dhe asaj Serbe, shtete këto që vazhdojnë ta kundërshtojnë fuqishëm pavarësinë e Kosovës. Por Resuli thotë se një veprim të tillë janë të detyruar ta bëjnë tashmë për shkak se as liderët e institucioneve të Shqipërisë e as ata të Kosovës nuk e kanë marrë parasysh vendimin e Gjykatës së Rrethit në Tiranë, të vitit 2011, e cila ua kthen pronën familjeve.
Sipas vendimit të Gjykatës së Rrethit, që e ka siguruar gazeta, thuhet se “Prona që Qeveria e Shqipërisë ia ka falur Kosovës për akomodimin e stafit diplomatik, u takon tri familjeve, jo shtetit”.
Ndërkohë, sipas zëvendësministrit ë Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, kjo çështje duhet të zgjidhet nga autoritete në Tiranë. /Telegrafi/