Shqipëria merr statusin e kandidatit për BE, por me kushte
Komisioni Evropian rekomandon dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, me kusht që vazhdojë reformat në drejtësi dhe administrimin publik.
“Komisioni Evropian rekomandon që Këshilli duhet t’i ofrojë Shqipërisë statusin e vendit kandidat, në varësi të plotësimit të masave kyçe në fushat e reformave të gjyqësorit dhe administratës publike dhe rishikimit të rregullores së parlamentit. Komisioni do t’i raportojë Këshillit sapo të arrihet progresi i duhur. Në raportin e tij, Komisioni do të marrë gjithashtu parasysh angazhimin e shfaqur nga Shqipëria për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, përfshirë hetimet proaktive dhe ndëshkimet e këtyre rasteve”.
Kështu u shpreh të mërkurën Komisioneri i Bashkimit Europian për Zgjerimin, Stefan Fyle gjatë prezantimit të progres raportit të KE-së për Shqipërinë dhe për vendet e tjera të rajonit.
Pas raport-progresit, Komisioni do t’i raportojë vendeve anëtare për plotësimin apo jo të këtyre masave, sipas këtyre zyrtarëve, me shpresën se vendet anëtare do të reagojnë pozitivisht në muajin dhjetor ndaj këtij propozimi.
Përveç formulimit për statusin kandidat, pjesa e mbetur e 12 prioriteteve, përfshirë prioritetin pesë, mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, në rekomandimin e Komisionit pritet të përfshihen si kushte për çeljen e negociatave për anëtarësim.