Një milion dollarët e konfiskuar nga Policia janë origjinal
Një milion dollarët e kapur në shtator nga policia si fals, janë origjinale. Ato besohet se janë vjedhur në ndonjë bankë me kapital amerikan dhe kanë përfunduar në tregun kosovar për pastrim nga ngjyra. Këtu duhej të gjendej një materie kimike për shlyerjen e ngjyrës bombë.
Burime nga hetuesia kanë thënë për Kohën Ditore se paratë kanë prejardhje nga Bullgaria. Prej atje, sipas burimeve, kanë ardhur në Maqedoni dhe kanë përfunduar në Kosovë. Shumica e këtyre parave në bankënota prej 100 dollarësh kanë ngjyrë si pasojë e nxjerrjes së tyre nga banka në mënyrë të paautorizuar. Teknologjia e re e sigurisë në banka njihet si “Dye Pack” – pako ngjyruese. Kjo pajisje eksplodon në monedhat që dalin nga banka në mënyrë të paautorizuar, raporton koha.
Megjithatë, Prokuroria dhe Policia insistojnë se paratë janë false dhe se janë prodhuar në shtypshkronjën “Verona” në Prishtinë, pronë e të dyshuarit Ramadan Latifi, i cili ndodhet në paraburgim nga 13 shtatori.
Policia këto para i ka prezantuar vazhdimisht si false, ani se në momentin e kapjes i ka numëruar me një aparat i cili paratë false i identifikon dhe bllokohet numërimi. Më 12 shtator, Policia me urdhër të prokurorit të Qarkut të Prishtinës, Dërguti, kishte arrestuar Avdi Bunjakun, Fatmir Bunjakun, Ramadan Latifin, pronar i shtypshkronjës “Verona”, në të cilën dyshohej se ishin shtypur paratë, si dhe Fidan e Vigan Latifi.