Dyshojnë në Mimozën
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë një vit më parë kishte hartuar Strategjinë për Zhvillimin e Ndërmarrje të Vogla dhe të Mesme 2012-2016 e që përmban 7 qëllime strategjike, 34 qëllime dhe 138 objektiva strategjike me synimin që të mbështesë zhvillimin e këtij sektori. Mirëpo ekspertët ekonomikë nuk i besojnë kësaj strategjie duke mos i dhënë rëndësi.
Musa Limani, ekspert i ekonomisë, nuk beson në një strategji të tillë pasi që, sipas tij, nuk mund të ketë strategji sektoriale pa atë të zhvillimit të përgjithshëm ekonomik. “Nuk mund të bëhen strategji sektoriale pa pasur strategjinë e përgjithshme. Unë nuk e di se çfarë instrumente dhe masa janë paraparë në këtë strategji derisa nuk ekziston strategjia e përgjithshme e zhvillimit ekonomik. Do të ishte e drejtë të bëhet strategjia e përgjithshme e zhvillimit ekonomik dhe në kuadër të saj pastaj të implementohen strategji sektoriale. Kjo është qasje parciale dhe jo e drejtë”, ka thënë Limani.
Drejtori i institutit Riinvest, Lumir Abdixhiku, ka thënë se ka mjaft pengesa të cilat e pengojnë zhvillimin e NVM-ve. “Përveç çështjeve të barrierave në licencim pjesa tjetër e pengesave ndaj ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme është se këto kanë probleme me informalitet, me korrupsion, trajtim jo të barabartë dhe me financimin tyre, pra mund të themi se këto tri pika kryesore në fuqizimin e NVM-ve kanë munguar gjithmonë”, ka thënë Abdixhiku.
Ndërsa Arta Istrefi, këshilltare e ministres Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se përmes kësaj strategjie synojnë përmirësimin e mjedisit të biznesit dhe kulturës së ndërmarrsisë duke synuar krijimin dhe rritjen e shpejtë të NVM-ve të qëndrueshme.
“Duke u bazuar në të dhënat statistikore që rezulton se rreth 99,9 % e bizneseve janë ndërmarrje Mikro, të Vogla dhe të Mesme, atëherë tregon se NVM-të janë dhe do të jenë motori i zhvillimit ekonomik që do të sigurojë vende të reja të punës, rritje dhe prosperitet ekonomik nën kushtin e një kornize të përshtatshme ekonomike”, ka thënë Istrefi.
Sipas saj, në këtë strategji identifikohen masat që duhet të ndërmerren për avancimin e reformave që do të shpiejnë drejt një sektori dinamik të NVM-ve që do të krijojë vende të reja pune për Kosovën. Në kuadër të kësaj strategjie eksitojnë 7 qëllime, ku sipas Istrefit, në secilën prej tyre është shënuar progres gjatë këtij viti.
“E para është Përforcimi i Kornizës Legjislative dhe Rregullative për Krijimin dhe Zhvillimin e NVM-ve, 12 ligje për lehtësimin e ambientit për të bërë biznes. Qëllimi i dytë Strategjik është Përmirësimi i Qasjes së NVM-ve në Financa. Është publikuar një raport i detajuar për qasjen e NVM-vë në Financa, në të cilin sugjerohet ulja e kamatave nga Bankat Komerciale, themelimin e Bankave Investive, shfrytëzimin e fondeve të diasporës dhe themelimin e skemave garantuese të kredive. E treta është Promovimi dhe Zhvillimi i Kulturës së Ndërmarrësisë. Në kuadër të Ditëve të Biznesit të Vogël, mbahet aktiviteti i përvitshëm për zhvillimin e kulturës së ndërmarrësisë. Këtë vit ne jemi në proces të vlerësimit të NVM-ve më konkurrente, ku gjatë muajit të ardhshëm do të ndahen edhe çmimet në nivel rajonal për ndërmarrësit më të suksesshëm. Do të ndahen tre çmime për secilin nga 5 rajonet dhe tre çmime në nivel kombëtar”, ka thënë ajo pwr zëri.
Sa i përket qëllimit të 4-të strategjik, Istefi thotë se është pika e cila merret me përforcimin e konkurrentshmërisë vendore dhe ndërkombëtare të NVM-ve.
“Nëpër rajone tashmë ka filluar programi i konkurrueshmërisë, ku ekspertë që vijnë nga vendet e BE-së i ndihmojnë kompanive private në ngritjen e performancës së tyre. Qëllimi i 5-të strategjik, sipas saj, është përmirësimi i dialogut ndërmjet sektorit privat, publik dhe shoqërisë civile. Istrefi thotë se gjatë këtij viti do të mbahen pesë konferenca rajonale dhe një mori konferenca vendore me qëllim të ngritjes së dialogut publiko-privat./standardi.info