Çitaku mohon se ka krizë institucionale
Ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku ka thënë se edhe po qe se ndodhin ndryshimet në Qeveri nuk duhet të përcillen me debat dramatik, pasi që askush nga zyrtarët në institucione nuk e ka trashëgimi postin e tij.
Çitaku gjatë një konference për media pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm për Kosovën miratimin e studimit të fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit nga ana Komisionit Evropian.
“Nuk vlerësoj se Kosova ka krizë institucionale, situatat si kjo çfarë i kemi ditëve të fundit janë të rëndomta në demokraci dhe ajo çfarë është e rëndësishme të fokusohet në kryerjen e detyrimeve që kemi para nesh. Në demokraci janë të rëndomta dhe duhet të merren si të natyrshme përplasjet, mospajtimet ndonjëherë edhe keqkuptimet po është e rëndësishme që të shfrytëzojmë këtë moment të reflektojmë në punët e mëdha që i kemi përpara dhe po ashtu të reflektojmë më shumë për të ardhmen dhe gjeneratat që vijën pas”, ka theksuar Çitaku.
Ministrja Çitaku qysh më herët pati paralajmëruar riformatim të Qeverisë, në rast të mospërmbushjes së detyrave nga ana e ministrave.
“Ndryshimet eventuale në Qeveri nuk do të duhej të përcillen me debat dramatik çfarë e karakterizon diskursin politik jo vetëm në Kosovë, por edhe në Ballkan. Ndryshimet duhet të jenë të natyrshme. Asnjëri prej nesh postin në Qeveri apo në institucione nuk e ka me trashëgimi dhe çdonjëri nga ne identifikohet si problem i procesit të integrimit evropian duhet të hapet rrugë. Ky studim nuk reflekton vetëm punën e kësaj qeverie, ky studim është rezultat i punës që është bërë gjatë 13 viteve të fundit”, ka deklaruar ajo, raporton telegrafi.
Po ashtu, ajo ka thënë se gjendja në veri nuk është problem për hapjen e negociatave për MSA-në, por është kusht për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit.
Sipas Çitakut pa shtrirjen e rendit dhe ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës, Kosova nuk mund të nënshkruaj MSA-në.