Kaosi diplomatik, skandalet njëra pas tjetrës
Ish-ambasadori i Republikës së Kosovës në Uashington, Avni Spahiu, pas largimit të tij nga ky vend, nga Presidentja Atifete Jahjaga, ishte emëruar për ambasador në Mbretërinë e Holandës, por ky dekret nuk u zbatua kurrë, madje për këtë Ministria e Jashtme e kishte informuar edhe Ministrinë homologe të Holandës, por tani ministria e Enver Hoxhajt, e mohon një gjë të tillë.
Avni Spahiut nuk dihet a i pëlqente më shumë Turqia, apo nuk është pranuar si ambasador i Kosovës nga Mbretëria e Holandës, apo Qeveria e Kosovës nuk ka dashur ta respektojë dekretin e Presidentes, por dihet se një dekret i nënshkruar nga presidentja më 18 prill, përmes të cilit Avni Spahiu emerohej ambasador në Mbretëria e Holandës, nuk është zbatuar kurrë.
Dekreti për fillimin e punës të ambasadorit të ri, sipas këshilltari politik për media të Presidentes, Atifete Jahjaga, Arber Vllahiu, bëhen pas tërheqjes ose përfundimit të mandatit të ambasadorit aktual. “Dokumenti për të cilin flisni është dokument i brendshëm, që asnjëherë nuk është përcjellë në Mbretërinë e Holandës dhe asnjëherë nuk është dekretuar tërheqja apo përfundimi i mandatit të ambasadorit të Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Holandës. Nexhmi Rexhepi, që është ambasador aktual dhe nuk mund të bëhet emërimi i ambasadorit të ri, pa dekretimin e tërheqjes së ambasadorit të vjetër. Kjo praktikë është ndjekur, respektuar dhe respektohet në të gjitha rastet”, thotë Vllahiu.
Por jo edhe në Avni Spahiun. Kosovapress ka siguruar një dokument ku Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, nëpërmjet një dekreti të nënshkruar më 18 prill, ka caktuar Avni Spahiun si ambasador rezident të Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Holandë. Në dekret thuhej se Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës ngarkohet që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij dekreti. “Dekreti hynë në fuqi në ditën e nënshkrimit”.
Përkundër asaj, që dekreti që ka siguruar Kosovapress, i cili hynte në fuqi në muajin prill, ai kurrë nuk u zbatua, kurse Presidentja Jahjaga në fund të gushtit ndryshon mendje dhe emëron Avni Spahiun si ambasador në Turqi.
Këshilltari i Ministrit të Punëve të Jashtme, Artan Behrami, duke mos jap shumë detaje ka thënë se Ministria e Punëve të Jashtme, asnjëherë nuk i ka dërguar autoriteteve holandeze një kërkesë për pranimin e agremanit për ambasadorin Spahiu, kështu që, një kërkese e tillë asnjëherë nuk ka arritur tek autoritetet holandeze, por një kërkesë për agreman, Ministria e Punëve të Jashtme e ka përcjell tek autoritetet e Turqisë, të cilat e kanë mirëpritur emërimin e ambasadorit Avni Spahiut në këtë shtet, raporton kosovapress.
Por dokumenti që ka siguruar Kosovparess demanton këtë që thotë Ministria e Jashtme, pasi Ministria e Jashtme, përmes një shkrese zyrtare e kishte informuar Ministrinë e Jashtme të Mbretërisë së Holandës, më 23 prill, për emërimin e Spahiut për ambasador në këtë vend.
Në letrën e MPJ-së, mes tjerash thuhej se Ministria e Jashtme ka nderin të njoftojë se Presidentja Atifete Jahjaga ka emëruar Avni Spahiun, ambasador të Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Holandës me seli në Hagë./standardi.info