VV: Qeveria po e ndan Kosovën
Seanca plenare e Kuvendit të Kosovës ka filluar me akuza nga Lëvizja Vetëvendosje për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së vendit, e cila, sipas këtij subjekti politik, nuk po përmbyllet dhe mbyllja po ndodh vetëm me Zyrën Civile Ndërkombëtare.
Në kohën e deklarimeve jashtë rendit të ditës, deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Liburn Aliu, ka thënë se seanca javën që shkoj është dëshmia e radhës për rrugëtimin e Kosovës. Sipas tij, po shihen kompromiset shtesë, varfëria, e jo ndërtimi i shtetit.
“Po përmendet heqja e mbikëqyrjes e në fakt sundimin ndërkombëtar Qeveria po e fut brenda institucioneve. E tëra është që po mbyllet zyra e ICO-së, e kjo po quhet heqje e mbikëqyrjes. Fakti se kjo po ndodh në kohën kur po bëhet dialog me Serbinë, po bëhet për t’i hequr territor vendit tonë. Këta duan të shkojnë përtej pakos së Ahtisaarit”, ka thënë Aliu, transmeton “Kosovapress”.
Sipas tij, në vend se të ketë ndryshime pozitive të Kushtetutës, këto ndryshime janë të zhvilluara vetëm në një drejtim, andaj, me këtë polikë të Qeverisë kompromiset janë të pashmangshme.
Nga ana tjetër, deputeti i po këtij subjekti politik, Rexhep Selimi, ka kritikuar nënkryetarin e Kuvendit të Kosovës, Petar Miletic, për ngritjen e akuzave ndaj Policisë së Kosovës, ndërkohë që ky komunitet nuk bashkëpunon me policinë.
“Së paku tri herë, nënkryetari Petar Miletic ka ngritur akuza të drejtpërdrejta ndaj Policisë për krimet që nuk po i zbulon. Por, kur ky shqetësim ngrihet mbi baza etnike, atëherë ky nuk është më shqetësim, por synim… Komuniteti që ju e përfaqësoni duhet të bashkëpunojë e jo të sabotojë Policinë e Kosovës”, ka theksuar Selimi. /standardi.info