Kalo te lënda

Vetëvendosje kërkon njohjen e Kosovës nga Sllovakia

Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti gjatë një takimi me një delegacion sllovak, theksoi se Kosova si shtet i ri, ka nevojë urgjente për ushtrimin e sovranitetit në tërë territorin e saj, ruajtjen e integritetit territorial dhe zhvillimin ekonomik,  duke mos harruar sundimin e ligjit dhe transparencën në punën e institucioneve.

Në njoftimin për media të Vetëvendosjes bëhet e ditur se në këtë takim u bisedua mbi situatën politike në Kosovë dhe sfidat që po i kalon Kosova si shtet i ri në forcimin e sovranitetit të saj dhe njohjes ndërkombëtare të subjektivitetit të saj.

Në takim poashtu u diskutuan edhe marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë, me theks të veçantë në qëllimet e Serbisë për Kosovën dhe rajonin, si dhe vështirësitë që kjo po ja shkakton Kosovës për zhvillim normal. Në takim u fol edhe për integrimin e serbëve në shoqërinë kosovare e jo vetëm në institucionet e saj, integrim ky i cili po pengohet në çdo mënyrë nga Serbia.

Lëvizja Vetëvendosje kërkoi nga delegacioni qe Sllovakia ta njohë sa më shpejtë Kosovën, sepse kjo sipas tyre, do të sillte përparim kualitativ e jo vetëm kuantitativ në stabilizimin e Kosovës.

Kurti tha se duke njohur historikun e dy vendeve nuk ka asnjë arsye të qëndrueshme që kjo njohje të mos ndodhë.

Ndërkaq, Mikulas Dzurinda shprehu vullnetin që marrëdhëniet në mes Kosovës dhe Sllovakisë të ngritën në nivel më të lartë.

Delegacioni sllovak përbëhej Mikulas  Dzurinda, deputet i parlamentit sllovak dhe ish kryeministër i Sllovakisë, shoqëruar nga Milan Jezovica, analist politik dhe ish zëvendës ministër i Punëve të Jashtme etj. /Telegrafi/