Projektligji antimafia, amnisti të pasuruarve kundërligjshëm
Prishtinë, 8 gusht – Vodhi kush vodhi. Një projektligj i miratuar të martën në Qeveri, tani parasheh kompetenca të zgjeruara për konfiskimin e pasurisë së përfituar me vepër penale.
Këtij projektligji të proceduar për miratim në Kuvend, kryeministri Hashim Thaçi ia ka dhënë epitetin e “Ligjit antimafia”. Shoqëria civile ka shprehur rezerva për përmbajtjen, dhe druan se projektligji, nëse miratohet nga deputetët kështu siç është, do të amnistojë “të fortët e politikës” që kanë bërë pasuri marramendëse pas luftës. Vetë sponsoruesi, ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka folur në superlativ për projektligjin dhe ka thënë ta ketë “vulën” e ekspertëve ndërkombëtarë.
Projektligji përcakton kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë së fituar nga personat që kanë kryer vepër penale, kur procedurat e përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale nuk janë të mjaftueshme. Pasuria që u nënshtrohet këtyre procedurave të konfiskimit, të cilat nuk janë dobi pasurore nga vepra penale e përshkruar në aktakuzë, mund t’i nënshtrohet konfiskimit nga neni 6 i këtij projektligji.