Kalo te lënda

KFOR-i: Serbët kanë sulmuar ushtarët me 38 plumba

Zëdhënësi i KFOR-it, Uve Nowitzki, theksoi sot se forcat e KFOR-it të premten në fshatin Rudare afër Zveçanit, kanë shfrytëzuar municionin luftarak pasi që ishin sulmuar me armë zjarri nga serbët, kështu vepruan në vetëmbrojtje. Përfaqësuesit e KFOR-it në konferencën e sotme për gazetarë në bazën e tyre në Vushtrri treguan automjetet dhe pajisjet ushtarake që janë dëmtuar të premten e kaluar. Sipas KFOR-it, ushtarët e misionit paqeruajtës janë sulmuar nga armë të tre kalibrave të ndryshëm, ndërsa në automjetet dhe helmetat e ushtarëve janë evidentuar 38 gjurmë nga plumbat.  Me këtë rast dy ushtarë të KFOR-it janë qëlluar nga armë zjarri, një prej të cilëve rëndë, kurse gjithsej 19 ushtarë kanë marrë plagë më të lehta, kryesisht nga gurët, tha Nowitzki.

“Bëhet fjalë për sulm masiv mi ushtarët gjermanë dhe amerikanë. Këto sulme kanë ndodhur në distancë kohore prej një ore. Sulmet janë shoqëruar me hedhje masive të gurëve në drejtim të ushtarëve të KFOR-it”, tha Nowitzki.

Sipas tij, bëhet fjalë për një grup më të vogël të kriminelëve të cilët ishin të gatshëm për dhunë.

“Ai grup kriminelësh nuk ka kurrfarë lidhje me qytetarë e rëndomtë në veri të Kosovës”, vlerësoi ai, duke shtuar se forenzika ka bërë hetime të hollësishme dhe se mbi bazë të të dhënave të mbledhura sulmi mbi KFOR-in mund të kualifikohet si tentim vrasjeje.

Dy transportues “Jeep” dhe një mjet i blinduar ka qenë cak i sulmit masiv me armë zjarri pesë ditë me parë në Rudare të Zveçanit, pasi që KFOR-i nisi aksionin për heqjen e barrikadave.

KFOR është shprehur i qartë se patjetër duhet të sigurohet lëvizja e lirë për të gjithë qytetarët në Kosovë dhe në këtë drejtim janë ndërmarrë operacionet e fundit për heqjen e barrikadave.