Kalo te lënda

Arrestohen Pesë të Dyshuar për Grabitje të Armatosura

Policia e Kosovës ka arrestuar pesë persona, dy nga ta shtetas të Shqipërisë, të cilët dyshohen se janë të përfshirë në disa raste të grabitjeve të armatosura që kanë ndodhur kohët e fundit në rajonin e Prishtinës.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë thotë se operacioni është ndërmarrë në kuadër të luftës kundër kriminalitetit, dhe veçanërisht pas disa shqetësimeve që kohët e fundit ka pasur komuniteti, në lidhje me rastet e grabitjeve të ndodhura, në pompa derivatesh, në zona të ndryshme të rajonit të Prishtinës.

Personat e arrestuar janë A. Buzuku, 25-vjeçar; L. Aliu, 20-vjeçar, të dy shtetas të Republikës së Kosovës, si dhe L. Bajrami, 20 vjeç dhe V. Gashi, 18 vjeç, shtetas të Republikës së Shqipërisë.

I dyshuari i pestë, tç cilit nuk i jepet emri, me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

Pjesë e operacionit ka qenë edhe bastisja e shtëpive të të dyshuarve ku policia ka arritur të gjejë dhe të konfiskojë një pushkë gjysmëautomatike dhe një revole e tipit “Ekol Special 99”, armë këto të cilat dyshohet të jenë përdorur në rastet e grabitjeve.

Të arrestuarit janë dërguar në Qendrën Rajonale të Paraburgimit në Prishtinë, ku aktualisht hetuesit po kryejnë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore e procedurale lidhur me rastet në fjalë para se rastet t’i kalojnë gjykatës, saktëson policia nëpërmes një komunikate shtypi.