Kalo te lënda

Arrestimet në Preshevë, reagon politika shqiptare: I dënojmë aktet shoviniste

Partia Socialiste ka reaguar lidhur me ngjarjet në Preshevë, ku mijëra shqiptarë kanë dalë për të protestuar kundër arrestimeve e dhunës arbitrare të forcave serbe të sigurisë.

Deklarata e PS-së është me tone më të shtruara dhe në të bëhet thirrje për uljen e tensioneve ndëretnike dhe paralajmëron për rrezikun që vjen nga rikthimi i retorikës e praktikave të pak viteve më parë, dhe shprehet mbështetja për faktorin politik shqiptar në përpjekjet e tij për përballimin me maturi e pjekuri të provokimeve dhe të tentativave për zbrazjen e Luginës së Preshevës nga shqiptarët.

Më herët ka mbajtur qëndrim dhe presidenti Topi dhe kryeministri Berisha ku janë shprehur, se dënojnë me vendosmëri skenarët e forcave ultranacionaliste serbe për të krijuar terror dhe frikë ndaj popullsisë shqiptare.

Politika shqiptare thotë se këto veprime të paramenduara që shkelin standardet demokratike dhe personalitetin e palëkundur të popullsisë shqiptare në Luginën e Preshevës, synojnë të destabilizojnë paqen dhe sigurinë e popujve të rajonit tonë. /E.L/

Lini një koment