Gjenerali amerikan, John Allen nesër në Kosovë
Të enjten në vendin tonë do të qëndrojë për vizitë i dërguari i posaçëm i presidentit të Shteteve të Bashkuara për Koalicionin Global për kundërvënie ISIS-it,
gjenerali amerikan, John Allen.
Të enjten në vendin tonë do të qëndrojë për vizitë i dërguari i posaçëm i presidentit të Shteteve të Bashkuara për Koalicionin Global për kundërvënie ISIS-it, gjenerali amerikan, John Allen. Gjenerali amerikan do të zhvillojë takime me liderët institucionalë të Kosovës.
I dërguari i posaçëm i presidentit të Shteteve të Bashkuara për Koalicionin Global për kundërvënie ISIS-it, gjenerali amerikan, John Allen do të vijë të enjten për një vizitë njëditëshe në Kosovë ku do të takohet më udhëheqësit e vendit për të biseduar lidhur me progresin e koalicionit dhe për çështje të tjera rajonale, ka njoftuar me një kumtesë zyra e zëdhënësit të Departamentit Amerikan të Shtetit.
Kosova është pjesë e koalicionit amerikan të ndërtuar për luftë kundër luftëtarëve të shtetit Islamik të cilët kontrollojnë pjesë të Sirisë dhe Irakut në të ashtuquajturin Shteti Islamik i Irakut dhe Shamit. Dhjetëra shtetas të Kosovës kanë shkuar dhe janë në radhët e luftëtarëve të ISIS’it dhe si rezultat i këtij ‘peshqeshi’ që i kanë bërë ata vendit të tyre tash vijnë zyrtarë amerikanë për të biseduar rreth kësaj të keqeje globale me udhëheqjen e Kosovës.
Gjenerali Allen do të udhëtojë edhe në Doha në Katar, ku sot do të flasë në forumin botëror Islamik dhe të SHBA. Prej aty pastaj do të udhëtojë për në Prishtinë.
Kosova nuk do të jetë vendi i vetëm të cilin do ta vizitojë gjenerali amerikan. Ai do të udhëtojë edhe në Budvë në Mal të Zi në një forum dyditësh për sigurinë ku do të zhvillohen takime bilaterale me partnerët e koalicionit dhe me zyrtarë të sigurisë, pastaj do të udhëtojë në Sarajevë, Zagreb dhe Romë ku me partnerët e këtyre vendeve do të diskutojë një numër çështjesh të koalicionit, përfshirë edhe përpjekjet e masave financiare dhe mbështetjen për stabilizimit dhe rimëkëmbjen e Irakut, thuhet në njoftimin e qeverisë amerikane. /rtk/