Osmani kërkon nga LDK-ja atë që e kërkonin Limaj e Krasniqi nga PDK-ja
Anëtarja e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani e cila nuk e ka votuar kryetarin e partisë për kryeministër, është duke kërkuar nga LDK-ja, një gjë që e kishin kërkuar para largimit nga PDK-ja, Jakup Krasniqi e Fatmir Limaj. Kërkesa e saj, siç raporton gazeta Tribuna është që në zgjedhjet e brendshme të partisë të aplikohet sistemi : një anëtar-një votë. “Duhet të jemi të vetëdijshëm, megjithatë, që përderisa nuk vendoset sistemi ‘një anëtar – një votë’, sistem ky që aplikohet në partitë që kanë demokraci të brendshme të zhvilluar, nuk do të mund të flasim për respektim të drejtë të vullnetit të anëtarësisë së LDK-së”, ka deklaruar Osmani. Edhe, dy ish-zyrtarët e lartë të PDK-së, që tash janë duke e udhëhequr subjektin politik, Nisma për Kosovën, para zgjedhjeve të brendshme në PDK patën folur disa herë për këtë sistem, duke shpërfaqur bindjet se ky model zgjedhor do të ndikojë në demokratizimin e partisë dhe do ta pamundësonte ngritjen në funksione partiake të atyre që nuk i njeh as zona prej nga vijnë.