Reagon kryetari i Ferizajt: Migrimi ilegal fsheh rreziqe të shumta
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, është shprehur i shqetësuar nga lajmi se qytetari Ali Fetahu,
nga Talinoci i Muhaxherëve të Ferizajt, ka humbur jetën në Hungari, si pasojë e kushteve atmosferike, derisa po synonte rrugën e mërgimit, si edhe shumë ferizajas të tjerë.
Kryetari i Ferizajt i shpreh ngushëllime familjes Fetahu për humbjen e të afërmit të saj, si dhe brengosjen e thellë për shkak të përmasave që ka marrë dukuria e ikjes së banorëve nga Ferizaj dhe nga Kosova.
Svarqa përsëriti edhe njëherë se dukuria e braktisjes së vendlindjes, është komplekse dhe nuk mund të shpjegohet me një shkaktar të vetëm.
Megjithatë, konsideron se Qeveria e Kosovës dhe pushteti lokal i Ferizajt, objektivisht, mbajnë një pjesë të mirë të përgjegjësisë për këtë dukuri, e cila, njërin nga shkaqet kryesore, e ka shkallën e varfërisë së qytetarëve.
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, edhe një herë u bën thirrje ferizajasve, që të mendohen mirë, para se të marrin rrugën e mërgimit ilegal, e cila fsheh në vete vështirësi të shumta, që ndonjëherë mund të përfundojnë edhe fatalisht.
“Fatkeqësia e Ali Fetahut, na bën të besojmë edhe më fuqishëm se mërgimi me rrugë ilegale, nuk është zgjidhje e mirë për askënd”, thotë Sfarqa.