Ambasadori amerikan: BE-ja zyrtarisht kërkon normalizimin e marrëdhenieve
Ambasadori amerikan në Beograd, Michael Kirby, e ka komentuar deklaratën e presidentit serb, Tomisllav Nikoliq, i cili ka thënë se nga BE-ja i është kërkuar njohja e Kosovës.
“Ne nuk jemi anëtare e BE-së, por e mbaj mend kur në vjeshtën e vitit 2012 lejdi Ashton dhe sekretarja Hillary Clinton kanë zhvilluar bisedime të përbashkëta më Nikoliqin dhe kryeministrin e atëhershëm, Daçiqin. Aso kohe është folur për normalizim të marrëdhënieve, e jo njohje të Kosovës”, ka thënë Kirby në një intervistë për Kurir, transmeton Indeksonline.
Sipas tij, shumica thonë se njohja e Kosovës nga Serbia është e pashmangshme, duke përfshirë edhe kryeministrin Edi Rama, Edita Tahirin…
“Por cilat janë këto kushte, këtë e përcakton BE-ja. Brenda BE-së ka vende që ende nuk e kanë njohur Kosovën, kështu që njerëz të ndryshëm kanë folur për gjëra të ndryshme, por aq sa unë kuptoj, politika zyrtare e BE-së është normalizimi i marrëdhenieve”, ka thënë Kirby.
Tutje ai ka thënë se kjo nuk do të thotë se dikush në BE në të ardhmen nuk do të ketë ide tjera.