Gruaja që denoncoi dhunuesin serb: Rrëfeni, tregoni botës se çfarë ndodhi me ne

fotoMarte Tunaj është gruaja e vetme në Kosovë që ka dëshmuar për dhunimin e kryer gjatë kohës së luftës. Ajo tani është në moshë të shtyrë dhe merr një ndihmë prej 96 eurove.

Marte Tunaj ka një porosi për femrat dhe gratë e dhunuara gjatë luftës, tani në kohën kur po bëhet identifikimi i tyre dhe kur shteti po mundohet t’ua sigurojë një pagë dinjitoze atyre.

“Rrëfeni dhe vetëm rrëfeni dhe tregoni botës se çka ndodhi me ne”, është porosia e saj.

Tunaj, ndryshe e njohur si burrnesha e Kosovës, ende ka kujtime të hidhura e të rënda gjatë kohës së luftës së fundit. Ajo ishte e dhunuar nga serbët dhe është e vetmja grua kosave që në Gjykatë dëshmoi publikisht dhe nuk hezitoi të tregojë barbarinë e paramilitarëve serbë, raporton rajonipress.

Tuna tani ka një moshë të shtyrë dhe merr vetëm 96 euro ndihmë nga shteti. Thotë se shpreson shumë që kjo kategori do të sistemohet dhe do të përkrahet edhe më shumë në të ardhmen.

“Janë plotë gra që nuk duan të dëshmojnë. Unë mendoj se ato gabojnë shumë rëndë nëse nuk rrëfehen. Bota duhet të dijë se çfarë ndodhi me ne dhe ne duhet të rrëfejmë. Unë kam rrëfyer publikisht, sepse kisha përkrahjen edhe të familjes. Edhe gratë e tjera duhet rrëfejnë”, thotë ajo.

Me prejardhje nga Gjakova, e martuar në Verban të Vitisë, më 30 maj të vitit 1999 ishte maltretuar, keqtrajtuar dhe përdhunuar nga paramilitari Milos Jokic ndaj të cilit më 25 shkurt të vitit 2000 ishte ngritur aktakuza për krime lufte kundër popullatës civile në Viti. Në veçanti, deklarata e saj se ishte dhunuar nga Jokici ishte aq e guximshme dhe trimëruese saqë Jokic urgjentisht ishte arrestuar nga forcat e KFOR-it. Jokici ishte dënuar me 20 vjet burg. Në gjykimin kundër Jokicit patën dëshmuar 40 dëshmitarë.

Por, nuk përfundon këtu historia e Marte Tunajt. Ajo e kishte shumë të vështirë që pas luftës t`i rrëfente familjes dhe burrit për tërë atë që i kishte ndodhur me Jokicin.

“E mora guximin dhe i dhashë vetës detyrë që ta denoncoja në polici Jokicin. E bëra këtë për hir të shumë nënave e grave shtatzëna që ishin keqtrajtuar nga Jokici. Burri im e mori vesh tek pasi u bë gjyqi dhe i jam shumë mirënjohës që më përkrahu deri në fund”, rrëfen ajo për rajonipress.

Tunaj thotë se guximin për të dëshmuar si grua shqiptare ia fala Kosovës, djalit Sherifit i cili ishte pjesëtar i UÇK-së dhe i vetmi i mitur në tërë rajonin e Vitisë.

Ajo, së bashku me burrin e saj Vebih Selmanin, dhe djemtë, ishte pjesëmarrëse e luftës së fundit. Lufta me të mirat e me të këqijat asaj i solli një ngjarje tronditëse. Për shkak të aktivitetit në UÇK të burrit të saj dhe djemve ajo dhunohet nga paramilitarët serbë.

Thotë se gjatë luftës së fundit e ka fituar diabetin dhe vetëm për një muaj shpenzon mbi 80 euro për barna.

“Nuk jam pishman që u kam dhënë bukë pjesëtarëve të UÇK-së dhe u kam qepur edhe rrobat. E kam bërë me vullnet e dëshirë, por nuk mund të pajtohem me faktin se Qeveria e përkohshme më përzuri nga vendi i punës dhe askush kurrë nuk është përkujdesur për mua”, thotë ajo e revoltuar.

Martja thotë se e ka guximin të flas në emër të të gjitha grave të dhunuara, që shteti të mendojë dhe të bëjë të pamundurën që t’ua mundësojë një pagesë dinjitoze.

“Është gjynah që femrat e dhunuara të mbesin nën mëshirën e lëmoshës. Ato kanë nevojë për përkujdesje e tretmane të ndryshme mjekësore”, shprehet ajo. /rajonipress/

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: