“Në këtë ditë feste t’i harrojmë urrejtjet, ta shtrijmë dorën e pajtimit”
Është falur në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, Namazi i Kurban Bajramit, ku është bërë thirrje për paqe, dashuri, harmoni e solidaritet mes njerëzve në tërë botën. Drejtuesit e Bashkësisë Islame të Kosovës kanë bërë thirrje për paqe mes njerëzve në botë, pasi sot m shumë se kurrë bota ka nevojë për paqe, dashuri, solidaritet e harmoni mes vete.
Sekretari i Përgjithshëm i BIK-ut, Resul Rexhepi tha se përveç prerjes së kurbanit, qytetarët kanë rastin t’i ndihmojnë edhe të varfërve, edhe skamnorëve, edhe jetimëve sepse kjo do të ofroj njerëzit mes vete.
“Sot në këtë ditë gëzimi të gjithë besimtarët që në zemrat dhe shpirtin e tyre shndrit besimi i sinqertë, besim i cili motivon dhe fuqizon veprat tona, të jemi me solidar mes vete, të jemi më human, më mëshirues dhe me tolerant. T’i lëmë urrejtjet dhe armiqësitë, të motivohemi për buzëqeshje dhe përqafime vëllazërore. Çdo festë e jona e ka porosinë e vet, e porosia më e madhe e Kurban Bajramit qëndron fuqishëm mbi parimin e dashurisë, bujarisë, solidaritetit, barazisë dhe sakrificës. Në këtë ditë feste prej nesh kërkohet t’i harrojmë urrejtjet e mospajtimet, t’i bashkojmë zemrat tona dhe ta shtrijmë dorën e pajtimit”, tha Rexhepi.