Fatmir Sejdiu: Duan të më denigrojnë
Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka bërë të ditur se dikush ia ka thyer llogarinë e Facebook-ut. Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, nëpërmjet një komunikate për media ka bërë të ditur se dikush ia ka thyer llogarinë e Facebook-ut dhe si pasojë në profilin e tij, kohë pas kohe postohen edhe lajme të ndryshme.
Lexojeni të plotë reagimin:
Njoftim për media i Ish Presidentit të Republikës Dr. Fatmir Sejdiu
Me keqardhje edhe njëherë dua të njoftoj të gjithë qytetarët e vendit dhe të gjithë lexuesit e tjerë se persona të panjohur kanë thyer që nga muaji maj i këtij viti faqen time zyrtare ne Facebook dhe atë e mbajnë peng duke e keqpërdorur dhe duke bërë postime të rrejshme në emrin tim.
Fatkeqësisht postime të tilla janë bërë edhe sot dhe janë transmetuar në disa prej portaleve si deklarata të mia.
Dua të ritheksoj se këto shkrime nuk janë të miat, ndërsa ftoj policinë e Kosovës të cilën e kam njoftuar që ditën e parë (17 maj 2014) që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbulimin e personave që po bëjnë këto veprime kriminale.
Duket qartë se prapavija e autorëve të tillë është tërësisht politike dhe me qëllim të denigrimit tim personal.