Limaj reagon për largimin e punëtorëve të Aeroportit
Lideri i “Nismës për Kosovën”, Fatmir Limaj, thotë se vendimi për pushimin e më se 70 punëtorëve nga Aeroporti i Prishtinës “Adem Jashari” është në kundërshtim me kontratën për koncesionimin e Aeroportit.
Lideri i “Nismës për Kosovën”, Fatmir Limaj, ka reaguar pas publikimit të lajmit për pushimin nga puna të më tepër se 70 punëtorëve të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
Në një postim në llogarinë e tij në Facebook, Limaj ka shkruar se ky largim është në kundërshtim me kontratën për koncesionimin e Aeroportit të Prishtinës.
“Më lejoni t’ju them se veprimi i sotëm i menaxhmentit të Kompanisë Limak Calik Airoport de Lyon, për të pushuar nga puna punëtorët e Aeroportit, është në kundërshtim me kontratën për koncesionimin e Aeroportit të Prishtinës.”
“Prandaj, institucionet shtetërore që kanë për obligim mbikëqyrjen e implementimit të kontratës, duhet urgjentisht të kërkojnë nga kompania kthimin e menjëhershëm të punëtorëve në punë dhe respektimin strikt të kushteve të kontratës së nënshkruar, në mënyrë që gjëra të tilla të mos përsëriten në të ardhmen”, ka shkruar Fatmir Limaj.