Kalo te lënda

Familja e dëshmorit Njazi Azemi: Komandant “Mjekrra” nuk ra për fe po për Atdhe

Lajme_NijaziAzemi_1_998710585Veteranët e UÇK-së dhe familja e Nijazi Azemit – Komandant “Mjekrra” – kërkojnë që të ndalen abuzimet me emrin e këtij komandanti nga, siç thuhet “grupe të caktuara antikombëtare” që përdorin emra të dëshmorëve”. Sipas tyre, Azemi dhe asnjë bashkëluftëtar tjetër nuk kanë luftuar dhe nuk kanë rënë dëshmorë “për qëllime të caktuara të klaneve të caktuara fetare”. “Nëse këta flliqtana vazhdojnë me abuzimet në emër të komandant ‘Mjekrrës’ dhe dëshmorëve të tjerë, do të përballen me forcën e ligjit dhe me reagimin tonë qytetar, njerëzor e nacional”, thuhet në kumtesën dërguar mediave, të cilën do ta botojmë më poshtë. “Ditëve të fundit ka filluar një fushatë denigruese kundër udhëheqësve të luftës çlirimtare të Kosovës, e në këtë fushatë po përdoren edhe emri dhe fotot e heroit kombëtar Njazi Azemi, i njohur si Komandant ‘Mjekrra’.
Ne, Dega e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UCK-së në Viti, dhe familja Azemi, kundërshtojmë fuqishëm përdorimin e emrit dhe veprës së Komandant ‘Mjekrrës’ nga kushdo, e që bëhet për qëllime të caktuara. Njazi Azemi – Komandant “Mjekrra”, nuk ka luftuar kurrë për asnjë qëllim tjetër, pos për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e trojeve shqiptare. Komandant ‘Mjekrra’ është dhe do mbetet përjetë sinonim i trimërisë, guximit dhe frymëzim i brezave për bashkimin e kombit.
Ai ishte shqiptar dhe vetëm shqiptar i madh dhe keqpërdorimi i veprës dhe heroizmit së tij nga ana e njerëzve joqëllimmirë, nga klane të caktuara që marrin urdhra kush e di nga ku, bëhet me qëllim të njollosjes së emrit të tij dhe të gjithë luftës çlirimtare.


Nijazi Azemi, si ushtar i UÇK-së në Zonën Operative të Dukagjinit, ku komandant e kishte Ramush Haradinajn, pastaj si zëvendëskomandant i Zonës së Preshevës, në luftën e UÇPMB-së, ishte shembulli më i mirë se si luftohet dhe flijohet për Atdhe.
Ua tërheqim vërejtjen dhe ua kujtojmë të gjithë atyre që po e keqpërdorin emrin dhe veprën e komandantit tonë dhe të gjithë dëshmorëve të tjerë të kombit, t’i ndalojnë menjëherë këto thirrje dhe etiketime, sepse as komandant Nijazi Azemi dhe asnjë bashkëluftëtar tjetër nuk kanë luftuar dhe nuk kanë rënë dëshmorë për qëllime të caktuara të klaneve të caktuara fetare, politike apo çfarëdo qofshin tjetër. Në të kundërtën, nëse këta flliqtana vazhdojnë me abuzimet në emër të komandant ‘Mjekrrës’ dhe dëshmorëve të tjerë, do të përballen me forcën e ligjit dhe me reagimin tonë qytetar, njerëzor e nacional.
Ramush Azemi, babai i dëshmorit Nijazi Azemi, gjithashtu bën apel që dëshmorët e kombit të lihen të qetë në altarin e lirisë, se emrat e tyre janë të shenjtë, prandaj çdo keqpërdorim i tyre neve si familjarë na fyen dhe na bënë të ndjehemi keq”, thuhet në letrën e nënshkruar nga Ramush Azemi dhe Milaim Abazai kryetar i Degës së OVL të UÇK-së në Viti.

Lini një koment