Selimi: Të bëjmë Ligj për përdorimin e mjeteve piroteknike
Institucionet e Republikës së Kosovës do të duhej që me urgjencë ta trajtojnë çështjen e mjeteve piroteknike, përkatësisht, përdorimit të tyre nga qytetarët e Kosovës.
Kështu mendon deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Behar Selimi, i cili gjatë një prononcimi për Indeksonline ka theksuar se në këtë kontekst duhet të hartohet një bazë e veçantë ligjore e cila e precizon se kush dhe si mund t’i shes fishekzjarrët e ndryshëm dhe gjithashtu nga kush mund të përdoren ato, gjegjësisht, cilës grup-moshë i lejohet e cilës jo.
Edhe sivjet, pak kohë pas ndërrimit të mot-moteve, ku ndezën me mijëra fishezjarre anë e mbanë Kosovës, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUQ) kanë përfunduar dhjetëra qytetarë, të cilët kanë kërkuar ndihmë për dëmet që iu kanë shkaktuar nga mjetet në fjalë, qofshin lëndimet në gjymtyrë, apo, lëndimi i syve.
“Kjo është çështje që i takon rendit dhe qetësisë publike, e cila është e rregulluar me Ligjin për rendin dhe qetësinë publike. Megjithatë ka vend për rregulla apo legjislacion sekondar, i cili do të duhej të ishte nxjerrë nga Ministria e Punëve të Brendshme, që në situata si këto (festa e Vitit të Ri) të shtohen përpjekjet për t’i parandaluar sa më shumë që të mundemi pasojat që shkaktohen me këto raste”, ka thënë ai.
Ish-drejtori i Policisë së Kosovës megjithatë thekson se për rrezikun nga mjetet piroteknike duhet të vetëdijesohen qytetarët, ngase, me çfarëdo ligji që do të nxirrej do të jetë e vështirë parandalimi i përdorimit.
“Krahas legjislacionit sekondar, ku do të kishte ndëshkime kundërvajtëse, por edhe një lloj kufizimi selektiv i shitblerjes së mjeteve piroteknike, kërkohet edhe fushatë publike më intensive në vigjilje të festave të ndryshme që të ndërgjegjësohen sa më shumë qytetarët për përdorim të kontrolluar të këtyre mjeteve. Kurse për të shtënat me armë të zjarrit duhet të ndiqen penalisht dhe këtu duhet ët jemi të pakormpromis”, është shprehur ai.
Si do qoftë, deputeti Selimi është kundër nxjerrjes së një ligji që do ta ndalonte tërësisht përdorimin e fishekzjarrëve të ndryshme nga qytetarët, ngase, një gjë e tillë, siç thotë ai, do të ishte tepër e rëndë.