Pacolli: Populli nuk mund të durojë shumë
Presidenti i Aleancës për Kosovë të Re, Behgjet Pacolli, në intervistën e dhënë për Telegrafin, ka thënë se si pjesë e koalicionit qeverisës, për shkak të numrit të deputetëve të tyre në Kuvend nuk ka mundur të jetësojë projektet e synuara. Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës tha se pakicat mund të marrin edhe një mandat të ulëseve të rezervuara, por me disa kushte. Sipas tij, modeli i dy komunave të cilat i ka fituar AKR-ja, Gjakovës dhe Mitrovicës, do të jetë trampolinë e cila do të sigurojë rritje të përkrahjes për AKR-në në zgjedhjet nacionale.
Telegrafi: Cili është raporti juaj me Qeverinë e Kosovës, individualisht dhe si parti? A e ndjeni veten fajtor për dështimet, përderisa jeni pjesë e ekzekutivit kosovar?
Pacolli: Duhet të kuptoni se unë jam një politikan atipik edhe në raportin që e kam me Qeverinë e Kosovës. E respektoj Kushtetutën dhe ligjin, autoritetin e kryeministrit si partner politik, kolegialitetin e ekzekutivit, por jam politikan që vij në atë detyrë nga posti i Presidentit të Republikës. Si parti, unë, së bashku me kolegët, respektojmë detyrimet që i kemi si partner i koalicionit qeverisës. Por, brenda kësaj kornize, pa patur timonin në dorë, ne ruajmë pikëpamjet tona, gjykimet tona për proceset në të cilat ka hyrë Kosova; respektojmë programin tonë dhe do të luftojmë sa të jetë e mundur që ai të bëhet program i shumicës absolute. Aktualisht nuk e kemi atë mundësi për shkak të numrit të deputetëve që kemi në Parlament dhe kjo është arsyeja që midis asaj që kemi premtuar në fushatë dhe asaj që është bërë deri më sot ka diferencë. Ligji i shumicës është ligji i demokracisë dhe ne do t’i bindemi.
I jemi qasur këtij koalicioni pa asnjë vijë të kuqe, me dëshirën për të shërbyer në këtë fazë historike të shtetndërtimit. Ne kemi arritur të ruajmë individualitetin tonë politik, si parti liberale, në raport me programin e 2007-ës për privatizimet në përgjithësi, për ndërtimin e institucioneve, për zgjedhjen e presidentit nga populli etj. Ky individualitet yni është shpërblyer veç të tjerash dhe me rezultatin në zgjedhjet lokale, i cili ka të caktuar edhe kontributin tonë në qeverisje.
Sa i takon dështimeve, sot në një botë të informacionit janë qartësisht të dokumentuara pozicionet tona në lidhje me të gjitha proceset. Është i përcaktuar qartë dhe roli ynë, kontributet tona në ministritë që drejtojmë dhe që i kanë dhënë Kosovës suksese të mëdha.
Telegrafi: Jeni deklaruar pro shtimit të ulëseve të rezervuara për pakicat në Kuvendin e Kosovës, për shkak të, siç e keni quajtur, “konstruktivitetit të tyre”. A mendoni se ia vlen që të ndryshohet Kushtetuta vetëm që të plotësohen kërkesat e komuniteteve pakicë?
Pacolli: Kushtetuta duhet të ndryshohet, sepse ka përfunduar një fazë historike për Kosovën: ajo e pavarësisë së mbikëqyrur. Në tekstin kushtetues duhen hequr të gjithë referencat e institucioneve ndërkombëtare mbikëqyrëse të kësaj pavarësie, prania e tyre në institucionet e drejtësisë të parashikuara në dispozitat kalimtare të kësaj kushtetute etj. Sigurisht, kemi një problem me vendet rezervuara, që do të ruheshin deri në dy mandate pas miratimit të Kushtetutës, sipas nenit 149. Në Kushtetutë hasim dy terma për vendet e minoritarëve që, në fakt, për shumicën e opinionit janë shumë të paqarta. Këto terma emërtohen si opsione të garantuara dhe të rezervuara.
AKR-ja është për njërin prej këtyre dy opsioneve: të garantuara ose të rezervuara, sido që të quhen ato në kushtetutën e ardhshme, por assesi për të dyja siç është aktualisht. Kushtetuta e ndryshuar duhet të jetë shumë e qartë dhe të mos lejojë dykuptimësi të termeve. Sigurisht, duhet të ruhet ky raport përfaqësimi ulësesh që është sot, për secilin prej minoriteteve të njohur nga shteti. Ato duhen definuar si ulëse të rezervuara, por jo edhe të garantuara, për arsye se ky fakt po krijon huti, pasoja, dhe është diskriminues për shumicën.
Sot, për shkak të marrëveshjes së Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë, është rritur pjesëmarrja e komunitetit serb, e subjekteve të tyre politike në jetën tonë institucionale, dhe si shenjë e vullnetit të mirë Kosova mund ta ruante këtë përjashtim edhe për një mandat tjetër. Por, me disa kushte.
Një vendim si ky do duhet marrë pas negociatave me faktorët politikë të Kosovës. Në këmbim të këtij opsioni, gjithmonë nëse miratohet në mënyrë unanime, partitë politike serbe të Kosovës do të duhet të heqin dorë nga çdo refuzim i institucioneve të Kosovës, simboleve të saj etj.
Telegrafi: Momentalisht jeni në koalicion me PDK-në, koalicion i cili shpesh herë është cilësuar si i brishtë. Cili është bashkëpunimi mes AKR-së dhe PDK-së, si partnerë të koalicionit. Deri kur mund të zgjas bashkëjetesa mes këtyre dy partive?
Pacolli: Ne i respektojmë plotësisht detyrimet kushtetuese dhe politike brenda këtij koalicioni, deri ditën e fundit. Ka patur momente në të cilat ne nuk jemi ndjerë të respektuar dhe kemi vënë si kusht daljen nga koalicioni. Përgjithësisht, partitë e këtij koalicioni kanë ruajtur një etikë komunikimi, marrëveshja është respektuar në disa prej linjave kryesore. Raportet e forcave nuk janë të ngurta. Ato kanë ndryshuar dhe pritet të ndryshojnë në varësi të rezultateve të zgjedhjeve vendore. Sa kohë që respektohet marrëveshja në termat kryesore, që respektohet individualiteti ynë programor, ne nuk e prishim marrëveshjen. Ne jemi në këtë koalicion për të ofruar në mënyrë konstruktive ekspertizën tonë, vizionin tonë programor, që është unik në spektrin politik kosovar. Ndërkohë, ne s’kemi vija të kuqe për të bashkëpunuar me askënd.
Telegrafi: A është përgatitur AKR-ja për të hyrë në zgjedhjet nacionale dhe a mendoni se fitorja e AKR-së në dy komuna të mëdha të Kosovës, në zgjedhjet e 3 nëntorit, do të ndikoj në rritjen e numrit të votuesve të AKR-së në zgjedhjet nacionale?
Pacolli: Jemi duke u përgatitur në disa drejtime. Të bëjmë zgjedhje të brendshme në parti, të konstituojmë organet drejtuese të partisë në përputhje me vendimet e kongresit të fundit zgjedhor, të shtrijmë partinë në gjithë territorin e Kosovës, të thithim sa më shumë kuadro të reja, t’i afirmojmë ato… por, mbi të gjitha, do të përpiqemi të respektojmë programet tona zgjedhore në dy komunat që kemi fituar. Do t’i shndërrojmë ato në model zhvillimi të një realiteti urban, duke harmonizuar burimet dhe kompetencat lokale me ato gjegjëse në nivel qendror. Kemi fituar me njerëz të rinj, me qasje të re, si bartës të frymës së ndryshimit dhe mbi të gjitha duke i mbetur besnikë programit për zonat e lira ekonomike, për menaxhimin e Trepçës, platformat agro-ushqimore. Arritëm të bëhemi bindës për votuesin, gjashtë vjet pas hyrjes sonë në politikën kosovare. Këto arsye janë bindëse se AKR do të rritet në pikëpamje sasiore dhe cilësore në zgjedhjet e reja, përkundër konstrukteve propagandistikë të dikujt që parashikonte tretjen e AKR-së.
Telegrafi: Një kohë të gjatë keni pasur mosmarrëveshje me ministrin e Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj, rreth meritave për njohjet e Kosovës. Çfarë raporte keni momentalisht me të?
Pacolli: Kemi qenë brenda kufijve të etikës institucionale, gjithë kohën, ndaj, nëse ka patur mospërputhje, ato janë pjesë normale e një bashkëjetese politike si kjo e jona. Meqë ekziston një farë keqkuptimi, unë dua t’ju them se çfarë kam bërë për shtetin e Kosovës është krejt e qartë dhe s’mund të krijojë mosmarrëveshje me dikë të vullnetit të mirë. Unë i kam dhënë besueshmëri diplomacisë kosovare, veç rezultateve konkrete në numrin e njohjeve, edhe me investimin e emrit tim, të shpirtit tim, të kohës sime, të miqësive të mia politike dhe biznesore, pse jo dhe me investimin e parave të mia për udhëtime. I kam ofruar kësaj diplomacie një qasje shumë elastike, rezultative, diku duke thyer disa mitologji të rrejshme të gjoja diplomacisë tradicionale. Diplomacia ime ka qenë mbështetur në disa elemente origjinale të lidhur me diplomacinë ekonomike, me psikologjinë, me brendimin e një shteti të ri etj. Këto kontribute do të kuptohen dikur, ndërsa rezultatet janë të prekshme sot.
Telegrafi: Keni deklaruar se do të angazhohemi për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Por, rritja e varfërisë ekstreme, rritja e papunësisë dhe mungesa e investitorëve të huaj janë disa nga elementet që tregojnë se Kosova është në një gjendje të rëndë ekonomike…
Pacolli: Nuk do të thosha se Kosova është në gjendje kaq të rëndë ekonomike, siç e përshkruani ju. Por, kemi vështirësi nga kriza globale, njëfarë izolimi ndërkombëtar që mundohet të na bëjë Serbia, dhe mungesë të përvojës sonë në punët e administrimit të shtetit dhe të ekonomisë. AKR-ja, fatkeqësisht, vonë arriti që në përputhje me marrëveshjen të krijojë në krye të resorëve ekonomikë një ekip ministrash. Ne i kemi dhënë Kosovës ligjet për zonat e lira ekonomike, për menaxhimin e Trepçës, projektligje për investimet e huaja, kemi përmirësuar klimën e biznesit në vend gjë që e tregojnë indekset e Bankës Botërore. Ne kemi organizuar vizita të shumta biznesore nga Gjermania, Koreja e Jugut, Franca, Nigeria, Emiratet e Bashkuara etj. Kemi qenë të parët që kemi promovuar idenë e një hapësire ekonomike mbarëkombëtare dhe jemi të lumtur që të tjerët na janë bashkuar më vonë. Kjo hapësirë nënkupton rikrijimin dhe shfrytëzimin racional të të gjitha burimeve tona natyrore dhe njerëzore, të shkëputura prej copëtimit të mëhershëm të kombit shqiptar. Një hap i madh u bë me marrëveshjen e interkoneksionit. Presim të konkretizohen hapa të tjerë në terren, dhe do të shihni se si vizioni ynë do të ndryshojë gjendjen. Si AKR kemi vizion origjinal dhe të provuar botërisht për zhvillimin e vendit, e kemi edhe njerëzit e duhur për këtë. Kush e do bashkëpunimin tonë, jemi të gatshëm.
Telegrafi: Mungesa e perspektivës, getoizimi i qytetarëve të Kosovës dhe migrimi ilegal në BE, sa po e dëmtojnë shtetin e Kosovës dhe besimin e qytetarëve në institucionet e vendit?
Pacolli: Është e vërtetë se mungesa e lëvizjes së lirë krijon frustrim të madh tek qytetarët, por ne duhet të përpiqemi ta ndërtojmë Evropën këtu ku jemi. Është e pafalshme që Kosova sot, në liri, duke fjetur mbi pasuritë më të mëdha natyrore të Evropës, me këtë rini të mrekullueshme e plot shkathtësi profesionale, të jetë e varfër. Besoj se Kosova e ka perspektivën e ndritur dhe se populli nuk e ndjen mungesën e perspektivës. Besoj se njëlloj procesi paqësues në marrëdhëniet me fqinjët, që zuri fill me negociatat e Brukselit, do të bëjë që më shumë energji të përqendrohen kah zhvillimi i brendshëm, në luftën kundër varfërisë e cila sot është ende në nivele të larta. Një e di: populli ynë fisnik nuk mund të durojë shumë. Koha e dehjes nga euforia e lirisë, dhe pavarësisë, nuk është e përjetshme. Populli gjithmonë e më shumë kërkon zhvillim, shkolla të mira, rend, kulturë. Duhet të vije në krye të punës ai që i garanton këto e jo dikush që thirret tek e kaluara. AKR-ja di, donë dhe mundet t’ia garantojë këtë qytetarit të Kosovës.
Besoj se qeveria e re që do të krijohet vitin e ardhshëm, e që do të ketë patjetër AKR-në brenda saj, do të dijë të nxis iniciativa ekonomike, të shoqërisë civile, të inkurajojë energjitë e brendshme qytetare që të kemi më shumë begati, më shumë rend, më shumë siguri.