Zoran Rashkoviq kishte frikë nga emetimi i emisionit
Drejtoresha e BIRN-it në Kosovë, Jeta Xharra, në intervistën për Indeksoline, ka treguar për punën e saj në vitin që lam pas. Ajo ka thënë që viti 2013 ka qenë shpresdhënës për gjithë Kosovën. “Mendoj që mesazhi nga këto zgjedhjet e fundit është i qartë për parti politike, nëse dojnë ta lexojnë drejt”, është shprehur Xharra.
Por, ajo nuk ka lënë pa dhënë edhe disa detaje rreth intervistës me ish-pjesëtarin serb, të Njësisë “Çakejtë”, Zoran Rashkoviqin, intervistë që bëri bujë të madhë në Kosovë e Serbi. “Ai njeri jetonte nën përcjellje të vazhdueshme të policisë dhe vazhdimisht fliste për vrasësit që po shëtiten lirshëm rrugëve të Beogradit – andaj normal që kishte frikë”, ka thënë Drejtoresha e BIRN-it.
Indeksonline: E nderuara, z.Xharra, si ishte për juve viti 2013 ?
Jeta Xharra: Ky ka qenë vit shpresëdhënës jo vetëm për mua por për Kosovë dhe po e argumentoj pse. Në vitin 2013 i treguam vetes që mundemi të bëjmë gjëra që ndoshta as ne prej vetes nuk i kemi pritur: treguam që dimë të mos i vjedhim votat, që dimë, me dasht, edhe mos me e dhez duhanin nëse kështu e kërkon ligji, që kemi qytetari që din me protestu edhe për çmime të rrymës e jo vetëm për çështje kombëtare dhe që dimë, jo vetëm me humb por edhe me fitu medalje të arta e të kthehemi në shtëpi si kampion – çka ndodhi me Majlinda Kelmendin.
Përderisa jam duke punuar në një emision të rishikimit të gjithë vitit 2013 të gjitha ngjarjeve më të rëndësishme që ndodhën në te (emision special që do të trasmetohet në dy pjesë në janar 2014), janë pikërisht këto ngjarje apo ndërrime që po i analizoj që më bëjnë të jem e bindur se kemi qytetari aktive në Kosovë dhe kemi talente që, përkundër krejt pengesave mund të dalin fitimtar.
Indeksonline: Në debatet që keni pasur për zgjedhjet lokale në gjitha komunat, çfarë ka pasur karakteristike këtë vit, dhe a mund të na jepni ndonjë vlerësim se në cilën komunë ishte debate më cilësor ?
Jeta Xharra: Me rëndësi është që debati në përgjithësi ka qenë më cilësor sivjet se nëpër zgjedhjet e kaluara. Për shembull, sivjet i kemi lutur kandidatët për balotazh të prezantojnë gjithë planet e tyre për katër vjetët e ardhshme në power-point duke iu përmbajtur buxhetit të dedikuar për atë komunë. Mbi 90% e kandidatëve nëpër tërë komunat e ka bërë këtë. Kjo solli një nivel të ri të debatimit të ilustruar me fotografi, shifra e tabela që nuk i kishim parë jo vetëm në debate për zgjedhje lokale por edhe ato në nivel nacional – shumë politikanë qendror nuk kishin prezantuar kurrë në mënyrë kaq të detajshme programet e tyre.
Dallimi tjetër prej zgjedhjeve të kaluara ka qenë edhe te publiku i cili këtë herë me të vërtetë i shikoi debate për tu vendosur për kend të votohet dhe vlerësoj të ketë ndodhur revolucion në kokat e njerëzve të cilët këtë herë kanë votuar në mënyrë shumë taktike duke e ndërruar kështu mbi 50% të pushtetit të deritanishëm nëpër komuna, pa marrë parasysh cilës parti i takojnë – me këtë votuesi tregoi kush është ‘shefi’.
Karakteristika kryesore e zgjedhjeve është që është arritur një standard i ri në transmetim të debateve komunale. Dua të bëj një paralele, kur kam filluar punën si përkthyese për BBC-në në vitin 1998, një minutë e transmetimit të reportazheve të lajmeve që duhej të dërgoheshin prej Kosove deri në Londër kushtonte diku 1000 marka gjermane përmes satelitit (se nuk kishte formë tjetër të dërgimit të raportit në mënyrë të shpejtë).
Tash, 15 vjet pas, ekipi i “Jetës në Kosovë” arriti të bëj transmetim 90-minutësh të drejtpërdrejt, me publik prej çdo komune të Kosovës përmes internetit falas, sepse kjo tash është e mundur! Pra në 1998 vetëm mediat shumë të forta e të pasura kanë pas mundësi të paguajnë atë shumë e tash kjo na është mundësuar të gjithëve. Ne transmetuam drejtpërdrejt edhe prej komunave ku, lëre më që kjo nuk ishte bërë përpara, por ku antena nuk e ka kap transmetimin e disa nga televizioneve tona si për shembull nga Dragashi. Përveç kësaj ne shumë shpesh bëmë live streaming të debateve në internet në indeksonline derisa ndodhnin debatet në komunë. Ky avancim i teknologjisë është fascinant për mua ta përjetoj brenda një periudhe 15 vjeçare prej kur kam filluar të punoj në gazetari.
Nuk mund të lë pa e përmendur që njëra prej hiteve të debateve publike sivjet kanë qenë gratë e kandidatëve për kryetar komune që i prezentuan parnterët e tyre. Kjo solli një freski në prezentim të kandidatëve, e përfshiu 50% të popullatës, gratë, të cilave zakonisht nuk iu nihet zani në debate, dhe e ngriti kuriozitetin e shikuesve për debat zgjedhor duke i bërë kështu debatet tona më të shikuarat nga të gjitha debatet tjera.
Indeksonline: Të dalim pak edhe tek intervista e fundit që keni pasur me ish-pjesëtarin serb, të Njësisë “Çakejtë”, Zoran Rashkoviq. A mundeni të na tregoni se ku e keni zhvilluar intervistën me të ?
Jeta Xharra: Intevista është e zhvilluar në Beograd, aty edhe ku ka dëshmuar Rashoviqi në gjykimin për krimet e luftës. Mos harroni që për Zoran Raskoviqin është shkruar edhe përpara – unë për te së pari kisha lexuar para një viti në një artikull në Balkan Insight që gjithashtu prodhohet prej Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese në nivel rajonal. E kam lexu atë storje dhe kam pa që korrespodentja e BIRN-it në Begorad që kishte monitoruar gjykimin për krime lufte që po zhvillohej prej vitit 2009 kishte vënë në kontakt me këtë dëshmitar. Dhe, kur ndodhi që Interneës Kosova, organizata partnere e BIRN-it, filloi të punojë në debatet e para rajonale TEMA ku, për herë të parë sivjet u bë e mundur të zhvillohej debati virtual me panelista që uleshin në Prishtinë dhe ata në Beograd, producenti i Jetës në Kosovë, Faik Spahiu ishte në kërkim të veteranëve të luftës në të dy anët, Serbi e Kosovë, që do të debatonin me njëri tjetrin. Aty ramë në kontakt me Rashkoviqin dhe filluam negociatën disa mujëshe që ta bindim të flas për publik kosovar. Nuk ka qenë rrugëtim i lehtë sepse ai kishte shumë dilema lidhur me mediet e Kosovës. Frikësohej se mos po i keqpërdoret intervista, mos po montohet në mënyrë tendencioze etj. dhe na zgjati ta bidnim që ne jemi media serioze, që do ta përfaqësojmë realisht rrëfimin e tij dhe mes tjerash, që s’do të frikësohemi prej publikimit të storjes së tij sepse deri atëherë askush nuk e kishte transmetuar në TV rrëfimin e tij por vetëm online.
(Foto: Zoran Rashkoviq)
Indeksonline: A kishte frikë Rashkoviqi, po themi kushtimisht, për emetimin e këtij emisioni, pasi gjatë intervistës është parë se kishte emocione ?
Jeta Xharra: Ai njeri jetonte nën përcjellje të vazhdueshme të policisë dhe vazhdimisht fliste për vrasësit që po shëtiten lirshëm rrugëve të Beogradit – andaj normal që kishte frikë. Por gjthashtu, e kishte mjaft me rëndësi të tregonte rrëfimin e tij për një publik shqiptar, para se t’i ndodh diçka atij. Por, krejt kjo frikë mendoj që e ka vlejt barra qiranë sepse tash janë paraqitur të interesuar që e kërkojnë intervistën të përkthyer në tri gjuhë tjera, në anglisht, gjermanisht dhe portugalisht.
Disa prej këtyre të interesuarëve donë ta shfrytëzojnë këtë intervistë për studimet e tyre nëpër univerzitete botërorë ku studjohet për histori, konflikt dhe lufta dhe momentalisht jemi duke punu në pregatitjen e këtyre verzioneve.
Intervistën e kanë kërkuar për transmetim edhe në Mal të Zi e Maqedoni. Emisioni online, të cilën indeksonline e transmetonte drejtpërdrejt, i ka marrë mbi 110 mijë klikime dhe këto vetëm që po shtohen dita më ditë. Me rëndësi pra është mesazhi që po shpërndahet për atë që i ka ndodh shqitparëve gjatë luftës në Kosovë e për të cilën mendoj që ne në Kosovë kemi bërë pak deri tash që ta ilustrojmë këtë eksod dhe përjetimet tona të 1999tës. Nuk di që ka madje një muze ku njeriu që e viziton Kosovën do të mund të shkoj e ta shoh dhe të informohet për atë që ka ndodh si tërësi në Kosovë, ku mund të shoh se si janë dëbuar e vrarë njerëzit në fund të sheullit 20. Në vendet ku kombet e respektojnë historinë e vet, një intervistë e tillë do ishte marrë dhe vërë në dispozicion të publikut të gjërë të huaj që e viziton atë vend – dhe atë jo për të më promovuar mua por për të shënuar saktë të kaluarën se çka ka ndodh. Nuk mjafton që kjo e kaluar të pasqyrohet vetëm me një intervistë.
Indeksonline: Si e sheh Jeta, procesin politik në Kosovë, a mendoni se duhet të ketë ndryshime në skenën politike ?
Jeta Xharra: Për këtë kam shkruar më detajisht në një kolumne të titulluar “Revolucioni” të botuar në Gazeta jeta në Kosovë (http://gazetajnk.com/?cid=1,1011,7203). Mendoj që mesazhi nga këto zgjedhjet e fundit është i qartë për parti politike, nëse dojnë ta lexojnë drejt. Njerëzit do t’i votojnë fytyrat e reja dhe ka kaluar koha e votuesve ‘dele’ që në mënyrë të pakushtëzuar do të jenë lojal ndaj partive.
Indeksonline: Ndonjë mesazh për indeksonline?
Jeta Xharra: Mesazhi: Ulu puno se s’ka shkrutica që munden me të sjell rezultate pa punu shumë – në çdo profesion duhet të ketë, ma pak kafe e llafe e ma shumë punë! Edhe nëse ka pak pare, prap ma mirë me punu badihava se me nejt badihava. Punës së tepërt vetëm hajrin mundesh me ja pa. /Alban Muhaxheri /Indeksonline/
