Kalo te lënda

Zbulohen punët e pista të pasanikëve në “Oazat e Tatimeve”

f_0404194028691_mPersona të panjohur u kanë transmetuar mediave ndërkombëtare të dhëna mbi praktikat e bizneseve në të ashtuquajturat oazat e tatimeve. Këto të dhëna flasin për persona nga mbi 170 vende.

Një burim anonim ka krijuar mundësinë për të parë të dhëna nga 2,5 milionë dokumente, njoftojnë gazeta gjermane Suddeutsche Zeitung dhe radiotelevizioni Norddeutsche Rundfunk. Këto dy media janë marrësit ekskluzivë të materialeve delikate në Gjermani.

Gazetarë nga 46 vende në të gjithë botën kanë marrë të drejtën t’i shikojnë këto të dhëna.

Dokumentet tregojnë se cilat janë rrugët sekrete për të fshehur jashtë vendit pasuri të mëdha, në mënyrë që të shpëtohen nga taksimi i autoriteteve fiskale. Mes tyre bëjnë pjesë firmat që kanë vetëm një kuti postare në një vend, me të cilat evazorët fiskalë mund të fshehin gjurmët e bizneseve të tyre, transmeton DW.

Në dokumente ndodhen raporte mbi 130 mijë persona nga 170 vende të botës, mes tyre oligarkë, tregtarë armësh dhe xhonglerë financiarë. Të dhënat vijnë nga dhjetë oaze taksash dhe kanë volum 260 gigabajt. Ato vijnë nga dy firma të specializuara për krijimin e shoqërive Offshore, firma që bëjnë pjesë ndër më të mëdhatë në këtë fushë.

Në lista bëjnë pjesë edhe qindra gjermanë, mes të cilëve Gunter Sachs, i cili ka ndërruar jetë në vitin 2011. Pinjolli industrialist gjermano-zviceran (Koncerni Sachs) ka çuar para vdekjes së tij pasuri në oazat e taksave dhe nuk i ka deklaruar ato sa duhet tek autoritetet fiskale. Administratorët e pasurisë së tij i hedhin poshtë këto akuza. Ata deklarojnë se firmat për të cilat bëhet fjalë, kanë qenë transparente “që në kohën që jetonte Sachs”.

Mes emrave në listë janë edhe oligarku rus Michail Friedman, politikanë të shumtë, në mesin e të cilëve ish guvernatorja filipinase dhe e bija e ish presidentit të vendit, Imee Marcos.

Dokumentet tregojnë të gjitha rrugët që përdoren për të fshehur pasuri të mëdha jashtë vendit, për të shmangur pagesën e tatimit në vendin ku personat jetojnë.

Gerard Ryle, drejtor i Konsorciumit Ndërkombëtar për Gazetari Hulumtuese (ICIJ), i cili udhëhoqi vlerësimin e të dhënave, tha se ishte i njohur se industria Offshore ishte e paarritshme.

“Megjithatë, ishim të befasuar se sa e madhe dhe e përhapur qenka”, thotë Ryle.

ICIJ ka studiuar këto të dhëna në një total prej 15 muajve, në bashkëpunim të ngushtë me 86 gazetarë nga 46 vende. Ndër mediat që morën pjesë në studim ishin BBC, Guardian, Washington Post, Le Monde, Sonntagzeitung, Sueddeutshe Zeitung dhe Norddeutschland Rundfunk.

Sipas një studimi, në vitin 2012 në oazat e tatimeve janë fshehur 21-32 miliardë dollarë. Zbulimi i ri, thonë vëzhguesit, mund të ndihmojë në shkatërrimin e këtij sistemi. ICIJ thekson se në këtë lojë janë përfshirë korporatat më të mëdha financiare në botë, të tilla si Deutsche Bank, UBS apo Credit-Suisse Clariden.

Dokumentet mbulojnë periudhën kohore e 30 viteve të fundit. Aty ka fakte, informacione mbi transferet e parave, informacion mbi formimin e kompanive fiktive dhe të lidhjeve mes koncerneve dhe individëve.

Vëllimi i dokumenteve është 160 herë më i madh se dokumentet e kabllogrameve të ambasadorëve të cilat i ka publikuar WikiLeaks më 2010. Pra, fjala është për rrjedhjen më të madhe të informacionit në histori, që mund të sqarojë punët e errëta të evazionit fiskal. /Telegrafi/

Lini një koment