Thaçi paralajmëron vendime të vështira
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ditët në vazhdim ka paralajmëruar se Prishtina do të marrë vendime të vështira, të cilat, ai i ka cilësuar si jo shumë populiste për lidershipin kosovar. Mirëpo, ai ka hequr dilemat se do të ketë status të veçantë për pjesën veriore të Kosovës, për të cilën gjë ai ka thënë se edhe Beogradi e ka kuptuar një gjë të tillë.
Në rast të dështimit të marrëveshjes, Thaçi ka thënë se do të pësojnë të dyja vendet. Gjatë takimeve që kanë pasur në Bruksel, kryeministri Thaçi ka thënë ta ketë vërejtur qëndrimin e palës serbe, e cila, sipas tij, është e interesuar vetëm për territorin dhe për serbët në veri, kurse as të vetmen fjalë nuk e ka folur për serbët që jetojnë në jug të Kosovës.
Këto komente Thaçi i ka bërë gjatë konferencës dedikuar diplomacisë publike dhe bashkëpunimit ndërkufitar, e cila nga ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, është cilësuar si në kohën më të duhur të diplomacisë kosovare.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë të ditur se ditën në vijim do të jenë kritike për qeverinë e Kosovës, pasi që pritet marrja e vendimeve të vështira, për të cilat ai ka thënë se nuk do të jetë shumë ‘populiste’ për lidershipin e vendit, sikurse që ka thënë se edhe Beogradi është në situatë të vështirë.
“Kemi ardhur në një fazë tanimë të rëndësishme, në një fazë vendimtare. Mund të them lirisht edhe në procesin final të vendimmarrjes dhe hapjes së temave të ndjeshme, që nuk janë fare populiste për lidershipin as në Kosovë, e ndoshta as në Serbi, por që janë në interesin e paqes dhe të stabilitetit dhe që janë në interesin e Kosovës, që janë në interesin edhe të perspektivës së Serbisë, por që janë në interesin edhe të të gjithë rajonit dhe investimeve të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë, në Serbi dhe në gjithë rajonin”, ka thënë ai.
Në këtë drejtim, ai ka thënë se askush prej lidershipit të Kosovës, por ndoshta as të Serbisë, e po ashtu as akterët në Bruksel, nuk e ka imagjinuar se mund të përmbyllet konflikti njëshekullor mes Kosovës dhe Serbisë, por ka shtuar se ajo çka është arritur për këta gjashtë muaj bisedime, nuk është arritur as për një shekull.
Kryeministri Thaçi ka thënë se kanë mbetur edhe pak ditë deri në mundësinë që të arrihet kjo marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, për të cilën gjë ai shpreson se kjo mundësi nuk do të humbasë, për ndryshe, ai paralajmëron se do të jetë me pasoja për të dyja vendet, por në të njëjtën kohë do të përcillet edhe me pasoja dhe reflektime edhe në rajon.
Sa u përket zërave për status të veçantë për veriun e Kosovës, ai ka thënë se një gjë e tillë kurrë nuk do të ndodh, duke thënë se këtë për çdo ditë po e kupton edhe Beogradi zyrtar.
“Çdo ditë e më tepër po e shoh që edhe Beogradi është i vetëdijshëm se diçka e tillë nuk mund të realizohet, as formimi i ndonjë Republika Srbska, as formimi i ndonjë rrethane për status të veçantë”, ka thënë ai.
“Dallimi tjetër aktualisht në mes Prishtinës dhe Beogradit është se ne përpiqemi dhe punojmë që të kemi zgjidhje në shërbim të të gjithë qytetarëve në bazë të parimit shumetnik, ndërsa qasja e Beogradit është vetëm për serbët në veri në asnjë rrethanë Beogradi kurrë, në tetë takime nuk ka folur as edhe një fjalë për serbët që jetojnë në jug, dhe kjo është shqetësuese”, ka thënë ai. /Telegrafi/