Kalo te lënda

SMS-ët e ish-ushtarëve të UÇK-së: Veç me bo vetëvrasje!

f_0404214109778_mNë telefonin e Xhevdet Qeriqit vijnë vazhdimisht SMS nga ish-luftëtarë të UÇK-së, të cilët shprehin zhgënjimin e thellë për gjendjen e rëndë në të cilën ndodhen. Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së ka shpjeguar për Telegrafin se në shumicën e këtyre porosive, ish-luftëtarët përmendin se nuk u ka mbetur rrugë tjetër përpos që të bëjnë vetëvrasje. Sipas tij, deri tash 44 veteranë të UÇK-së kanë bërë vetëvrasje.

“Mesazhet e tyre janë të pashpresa. Ato shprehin tërë zhgënjimin e thellë për mënyrën se si është duke u zvarritur zgjidhja e problemeve dhe rregullimi i përfitimeve për kategoritë e dala nga lufta”, ka thënë Qeriqi.

Ndërsa, shefi i Zyrës për Veteranët e Luftës së UÇK-së në Kryeministri, Faik Fazliu, ka thënë se Qeveria e ka bërë maksimumin deri tash, duke rritur pensionet për invalidë e luftës më shumë se 100 për qind, e në disa shkallë deri 150 për qind.

Ai ka thënë se familjet e dëshmorëve tash i marrin nga 260 euro, ndërsa janë në rrugë që menjëherë pas përfundimit të punëve dhe caktimit të numrit të saktë të veteranëve, të dihen edhe përfitimet që kanë të bëjnë për veteranët.

“Nuk jam ekspert i kësaj fushe, por çështja e vetëvrasjeve nuk është konstatuar se vjen vetëm prej kushteve të këqija ekonomike. Ne kemi pasur raste kur edhe persona që nuk e kanë pasur gjendjen e vështirë ekonomike, kanë bërë vetëvrasje”, ka thënë Fazliu për Telegrafin.

Ndërkohë, gjendja e vështirë e ish-luftëtarëve është aktualizuar pas lajmit për vetëvrasjen e një ish-ushtari të UÇK-së në rajonin e Sharrit. Në një deklaratë të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i bëhet thirrje Qeverisë së Republikës të Kosovës, Presidencës, Kuvendit dhe të gjitha partive politike shqiptare në Kosovë që të punojnë rreth draft-ligjit për veteranët e luftës dhe në një kohë sa më të shkurtër të kalojë në Kuvend dhe ta marrë dritën jeshile.

Sipas Qeriqit nga KMDL-UÇK, shumë veteranë janë në gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale.

“Në 44 arriti numri i vetëvrasjeve të tyre, shkaku i padrejtësive që po u bëhen”, thotë ai.

Që nga paslufta e këndej ka pasur vazhdimisht thirrje që të përmirësohet sa më shpejt gjendja e ish-luftëtarëve, ndërsa kërkesa kryesore ka qenë miratimi i ligjit për vlerat e luftës. /Agim Fazliu/Telegrafi/

Lini një koment