Selimi: Shkarkimi i Rexhepit do parandalonte korrupsionin
“Shkarkimi i ministrit Rexhepi do të parandalonte korrupsionin në MPB, e cila është vlerësuar si ministria më korruptuar e Qeverisë, e cila është përgjegjëse për luftimin e korrupsionit” është shprehur deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.
Selimi i cili është shprehur se skandalet në këtë ministri janë të panumërta ka thënë se duhet pasur parasysh dëmtimin e procesit të liberalizimit të vizave për shkak të skandalit të pasaportave biometrike.
Ai ka folur edhe për urdhërin verbal të ministrit Rexhepi për të arrestuar aktivistët e Vetëvendosjes dhe pastaj dhunën policore ndaj protestuesve, duke përfshirë edhe disa deputetë.
Ai ka përmendur edhe rastin e kunatës së aktivistet , Albulena Haxhiu, Iris K. e cila vazhdon të jetë në gjendje kome.
Përndryshe Rexhepi, në interpelancën para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, nuk ka pranuar të flasë për akuzat e bëra nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila kishte iniciuar këtë interpelancë dhe ka kërkuar dorëheqjen e tij.
Ministri Rexhepi ka dhënë detaje rreth procesit të hetimeve rreth skandalit të pasaportave biometrike, ndërsa ka deklaruar se kishin kërkuar nga Prokuroria e Shtetit dhe EULEX-i që të hetojë rastin, ndërsa MPB-ja ka bashkëpunuar për të ofruar dokumente.
