Presin deri me 9 prill
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga është takuar sot me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe koordinatorin e procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Blerim Shala.Në një komunikatë për shtyp të lëshuar nga kabineti i presidentes, temë diskutimi në takim ishte raundi i fundit i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në nivel kryeministrash.
“Palët nuk arritën t’i harmonizojnë të gjitha qëndrimet dhe u kërkua kohë shtesë për të marrë vendim të përgjegjshëm. Baronesha Ashton do të njoftohet përfundimisht deri më datën 9 prill për vendimet. Në ditët në vijim, diplomacia evropiane dhe amerikane do të bëjnë përpjekje për t’i bindur palët që marrëveshja të arrihet dhe që të garantohet zbatimi i saj”, thuhet në komunikatën e presidencës.
Jahjaga citohet t’i ketë ofruar mbështetje të plotë qëndrimit të kryeministrit për procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, si shtete të pavarura dhe sovrane, duke nënvizuar se rruga e dialogut nuk ka alternativë./r.b