Kalo te lënda

Konjufca: Serbisë kohë shtesë, kërkon gjithmonë më shumë

f_0404141753781_mNënkryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka kritikuar dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, duke kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të tij.

Konjufca ka kujtuar kompromiset e dëmshme që janë bërë në dëm të Kosovës.

“Marrëveshjet e deritashme të Qeverisë së Kosovës të arritura përmes Edita Tahirit, kanë qenë në dëm të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës të cilat kulmuan në degradimin e emërtimit politik të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës nga Republika e Kosovës, në Kosovën me fusnotë. Thaçi e nisi dialogun në këtë pikë pra, jo nga zeroja e as nga Kushtetuta e Kosovës, por nga Kosova e fusnotës. Kryeministri pastaj e vazhdoi me koncesionet e reja, duke pranuar Asociacionin e komunave serbe, për ta degraduar tutje decentralizimin etnik në centralizim etnik, duke krijuar kështu formën e autonomisë (përmes definimit të territorit) e cila mbushet pastaj me përmbajtje; duke e pranuar Fondin për Veriun, pra buxhetin paralel për Asociacionin, duke krijuar kështu financat për autonominë; dhe duke pranuar njësitin e veçantë të policisë për kishat dhe manastiret ortodokse”, tha ai.

Ai ka thënë se Serbisë i është dhënë kohë shtesë për arritjen e marrëveshjes, sepse Serbia kërkon gjithmonë më shumë se që i ofrohet.

Sipas tij, tashmë nuk do të diskutohet për Asociacionin por vetëm për kompetencat e tij.

“Vazhdimi i dialogut është vazhdim nga koncesionet e deritashme jo për t’i zhbërë ato por për të vazhduar kompetencat e tyre”, ka thënë Konjufca.

Ai i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës që të shtrij sovranitetin në veri dhe t’u mundësoi qytetarëve shqiptarë të kthehen në shtëpitë e tyre në veri. /Telegrafi/

Lini një koment