Nuk miratohet mocioni i Vetëvendosjes
E plotësuar – Më 51 vota kundër, 34 për dhe tri abstenime nuk është miratuar mocioni i lëvizjes Vetëvendosje për shkarkimin e ministrit të MPB-së, Bajram Rexhepi. Në sallë ndodheshin 95 deputet. Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, paraprakisht ka kërkuar nga deputetët që të mos e votojnë mocionin, përderisa ata të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të Vetëvendosjes dhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kanë kërkuar nga kryeministri Thaçi, shkarkimin e ministrit Rexhepi.
Në arsyetimin e kërkesës së PDK-së, deputetja e saj Ganimete Musliu ka thënë se nuk duhet lejuar që disa çështje të keqpërdoren. Ajo ka pohuar se disa parti me mendësi të vjetër ngritin çështje të tilla në kohën kur Kosova po kalon nëpër një fazë të rëndësishme për vendosjen e rendit dhe ligjit në veri të vendit.
Ndërkohë deputeti, Anton Çuni, në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës i ka kërkuar ministrit Rexhepi që të jap dorëheqje në mënyrë që të ruaj reputacionin e tij si doktor lufte dhe si kryeministër, në kohën e të cilit kishte arritur edhe suksese.
Ai i ka i numëruar Ministrit një varg dështimesh, përfshirë rritjen e dhunës në arenat sportive, rritjen e armatimit të paautorizuar, zhvillimin e tregut të zi, kidnapimin e afaristëve dhe familjarëve të tyre e raste të tjera. Sipas Çunit me ardhjen në këtë pozitë të Rexhepit, rendi dhe ligji në Kosovë është vënë në pikëpyetje.
Ndërkohë, Burim Ramadani, deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se AAK do të votojë mocionin e Vetëvendosjes për shkarkim të ministrit Rexhepi.
Ramadani ka pohuar se Ministrit Rexhepi i kanë mjaftuar 36 muaj për të shkaktuar dëme të mëdha për qytetarët e Kosovës. Sipas tij, Ministria e Punëve të Brendshme është bërë kampione për shkeljen e ligjit. Por, për gjithë keqqeverisjen që e ka përmendur, nuk e ka fajësuar vetëm ministrin Rexhepi, por qeverinë, e cila, sipas tij, është treguar jo efikase, transmeton Kosovapress.
Ndërkohë Aleanca për Kosovë të Re ka thënë se e ka përkrahë kërkesën e VV-së për interpelancë dhe se kërkon që ligji të zbatohet në të gjithë Kosovën. Kryetarja e Grupit Parlamentar të AKR-së, ka thënë se kërkojnë hetim të plotë dhe profesional për aferën e pasaportave. Ajo ka apeluar për gjyqësor të paanshëm. /Telegrafi/