Kontribuuesit duan llogari për 3 përqindëshin
Grupi i veprimtarëve dhe kontribuuesve në ish- Fondin e Republikës së Kosovës në Gjermani, kanë kërkuar nga organet financiare në Shqipëri dhe Kosovë qe të japin përgjigje se si janë menaxhuar mjetet e Fondit të tre përqindëshit dhe ato të “Dardania Bankës”.Në një deklaratë për media, të nënshkruar nga përfaqësuesit e këtij grupi, Nezir Fejza dhe Emrush Çeku, thuhet se procedura për verifikimin se ku kanë shkuar dhe si janë menaxhuar këto mjete tanimë është në shqyrtim e sipër nga organet kompetente gjermane.
“Njëkohësisht, njoftojmë mediet dhe organet shtetërore në Shqipëri dhe Kosovë, se në të njëjtën kohë është bërë kallëzim penal kundër ish-kryeministrit të Qeverisë së Kosovës në ekzil, z. Bujar Bukoshi, dhe përgjegjësve të tjerë, të cilët kanë pasur qasje në xhirollogaritë rrjedhëse të Fondit të Republikës së Kosovës. Dhe se lënda i është dorëzuar Ministrisë së Punëve të Brendshme të Bayernit, Ministrisë së Apelit në Baden Württemberg, si dhe Ministrisë shtetërore të Financave të Republikës së Bayernit, për shqyrtim të dokumentacionit përkatës të Fondit të trepërqindshit (3%), i cili, siç dihet, ka qenë nën kompetencat e ish-Qeverisë së Kosovës në ekzil, në periudhën e viteve 1992-2012”, thuhet në deklaratë. Autoritetet financiare gjermane, sipas njoftimit, do të bëjnë edhe verifikimin e pagesës së tatimeve për mjetet financiare që ka poseduar Fondi.
Këtë proces gjyqësor pranë organeve gjermane e ka iniciuar një grup i veprimtarëve dhe kontribuuesve që kanë paguar në mënyrë obliguese mjetet e tyre financiare në këtë fond, duke kërkuar në të njëjtën kohë nga organet e drejtësisë në Shqipëri dhe Kosovë, si dhe nga EULEX-i, që ta hetojnë dhe bëjnë transparent menaxhimin e këtij fondi. Por, sipas njoftimit, “deri më sot nuk kemi marrë asnjë konfirmim me shkrim nga këto organe, njofton koha.
Gjithashtu, ky grup ka bërë kërkesën me shkrim pranë organeve kompetente në Tiranë dhe Prishtinë që të verifikohet se si janë menaxhuar mjetet financiare të “Dardania Bankës”, pra se ku kanë përfunduar dhe si janë shpenzuar ato mjete, përkatësisht si janë bërë transaksionet nga Fondi ish-Republikës së Kosovës në Gjermani në këtë bankë dhe me çfarë kritereve financiare .
“Para se të luftohet korrupsioni në Kosovë kërkohet që paraprakisht të spastrohen dhe të sqarohen të gjitha dilemat dhe dyshimet rreth keqmenaxhimit të mundshëm të mjeteve të paguara në këto fonde nga mijëra bashkatdhetarë tanë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, siç ishte Fondi i trepërqindshit i RK, si dhe fonde të tjera”, thuhet në deklaratë./r.b