Diplomacia “mal” i klandestinëve!
Diplomacia kosovare është bërë sektori më atraktiv për ata që kanë “jarana” në Qeverinë e Kosovës. Mjafton të kesh dikë të “fortë” në Qeveri dhe mundë të bëhesh zyrtar i lartë nëpër ambasada ose në misione konsullore kudo nëpër botë. Madje, jo që mund të kyçesh lehtë, por edhe të avancohesh shumë shpejt.
Kësisoj në diplomaci mund të gjesh me dhjetëra raste që zyrtarët politikë të Kosovës i kanë dajallarë, kushërinj, miq, dhëndurë dhe si të tillë pavarësisht se nuk kanë shkollime e përvojë adekuate e nuk njohin as gjuhë të huaja, bëhen pjesë e “brigadës” diplomatike.
Tërë këto vendime merren në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ndërsa diplomatët e Kosovës të akredituar në vende të ndryshme botërore, nuk e kanë idenë se çfarë u “servohet”. Ambasadorët madje edhe nuk pranojnë të flasin me arsyetimet se për gjithçka duhet të pyetet MPJ-ja, ngase personeli emërohet dhe dërgohet nga kjo ministri.
Zyrtarë të MPJ-së, jozyrtarisht përmendin me dhjetëra raste të emërimeve të kësaj natyre në ambasada dhe konsullata të ndryshme. Në këtë vit, kanë ndodhur disa emërime të reja në poste diplomatike, e të tillë madje që askush nuk i njeh se ku kanë punuar më herët, por në mënyrë direkte janë bërë pjesë e stafit diplomatik. Por, ka edhe të tilla raste që sivjet janë ngritur në pozitë dhe atë nga asistentja në zëvendskonsulle, shkruan zeri.
Kësi fati ka pasur Leonitë Harxhi, që ka punuar si asistente administrative në Ambasadën e Kosovës në Bruksel. Ajo është kunata (balldëska) e ministrit të Forcës së Sigurisë, Agim Çekut, e cila është avancuar në pozitë të zëvendëskonsulles në Bruksel.