Modifikimi i ‘Ahtisaarit’ rrënon shtetësinë e Kosovës
Një analizë e Grupit për Studime Juridike dhe Politike bërë procesit dialogues ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nxjerrë konkluzionin se nuk është e mundur që zgjidhja e presidentit Martti Ahtisaari të modifikohet pa e destabilizuar Kosovën. Vetë kjo është një zgjidhje kompromisi, thuhet në studimin që për autor ka kryeredaktorin e “Kohës Ditore”, Agron Bajrami.Analiza “Dialogu Kosovë-Serbi: Dritare e mundësive apo një kullë letrash?” përmban gjithsej njëmbëdhjetë konkluzione. Bajrami ka bërë thirrje që të merren ato parasysh, e veçanërisht ky për mosprekjen e Pakos së Ahtisaarit, i listuar i pari, por edhe i dyti në radhë, e që thotë se funksionaliteti i Kosovës duhet të jetë prioritet më i lartë sesa arritja e datës për Serbinë apo nisja e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA) për Kosovën. Mbi të dyja këto, ka thënë të jenë ndërtuar edhe përfundimet tjera, që shmangin kthimin e tërë procesit në një “kullë prej letrash” që do të mund të shembej nga dridhja më e vogël.
Analiza është publikuar të premten, në tryezën e rrumbullakët me temë “Çfarë pas 2 prillit: Dialogu Kosovë-Serbi dhe perspektiva për një zgjidhje të qëndrueshme”. Panelistët Skënder Hyseni, Shpend Ahmeti e Augustin Palokaj kanë ndarë pikëpamjet për këtë proces dhe jo në gjithçka janë pajtuar. Ahmeti ka këmbëngulur se dialogu nuk është dashur të nisë, e Hyseni e ka argumentuar të kundërtën. E, Palokaj, ndryshe nga të tjerët, ka thënë të ketë zbuluar diçka që tregon se, në fakt, procesi ka qenë transparent.
Bajrami, ndërkaq, ka thënë se në përvojën e tij, ky është procesi më jotransparent politik në 20 vjetët e fundit në Kosovë apo rreth Kosovës. Ka thënë të ketë pasur shumë më shumë informata në vitet e luftës, kur janë zhvilluar negociata të ndryshme, sesa ato që jepen tani në kontekst të asaj që konkretisht ndodh me dialogun Kosovë-Serbi./standardi.info