Zbulohet shtatorja e Isa Boletinit
Shtatorja e heroit Isa Boletinit u zbulua në Isniq të Deçanit, vend ky i të parëve të tij, me që rast u tha se Isa Boletini shkundi një perandori dhe vuri në lëvizje gjithë Ballkanin dhe Evropën, duke bërë të dukshëm kërkesat për liri dhe shtetndërtim.
Kryetari i Deçanit, Rasim Selmanaj ka thënë se Isa Boletini ka qenë luftëtari më i denjë i tokave shqiptare dhe se është vrarë pabesisht në Mal të Zi.
“Kufijtë janë vetëm simbolik në mes të Kosovës dhe Shqipërisë. Por, rruga Deçan-Plavë është prioritet tjerë që kërkon përkrahjen e të gjithëve”, ka thënë Selmanaj, raporton “KosovaPress”.
Ndërsa, presidentja e vendit, Atifete Jahjaga ka thënë se ngritja e shtatores së Isa Boletinit është nderim që të rinjtë po i respektojnë të parët tanë.
“Boletini shkundi një perandori dhe vuri në lëvizje gjithë Ballkanin dhe Evropën duke bërë të dukshëm kërkesat për liri dhe shtetndërtim”, ka thënë ai.
E kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se pas përpjekjeve një shekullore po zbulohet monumenti i Isa Boletinit.
“Ka qenë një rrugëtim i gjatë, 100 vjeçar, që këtë ditë lirshëm pa dallim të na bashkon ideali i lirisë së shqiptarëve dhe ideali i bashkimit kombëtar. Boletini ishte gjithmonë aty ku e kërkonte çështja kombëtare, pranë Ismajl Qemajli, gjithmonë në beteja për lirin e pavarësinë e Shqipërisë. Ai luftoi për lirin e të gjithë shqiptarëve”, ka thënë Thaçi.
Ndërsa kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, e quajti Isa Boletinin gjeneral të pavarësisë së Shqipërisë.
“Isniqi është vendi ku ai mori frymëzim për pavarësimin e tokave shqiptare. Me këtë akt i kthejmë burrit të madh të kombit një copëz të nderit të madh që ai na la mbrapa për të gjithë shqiptarët”, ka thënë Berisha.
Berisha ka thënë se Shqipëria pavarësinë e saj, kombin, ekzistencën e tij ja dedikon luftërave titanike të shqiptarëve në Kosovë dhe mbarë trojeve shqiptare./