Evropa vë pikën, nuk ka ndarje të Kosovës
Një pjesë e Strategjisë së zgjerimit të BE, që e ka shkruar Komisioni Evropian (KE) dhe që është publikuar më 10 tetor, ku theksohet se zgjidhja e çështjes së veriut të Kosovës duhet të bëhet duke respektuar tërësinë tokësore të Kosovës dhe nevojat e popullatës lokale, në atë dokument është futur para vet publikimit të tij, mëson gazeta “Danas” në burimet diplomatike në Beograd.
Bashkëbiseduesit e gazetës vënë në dukje se kjo është bërë pas disa deklaratave publike të kryeministrit serb, Ivica Daçiq se ndarja e Kosovës është zgjidhje më e mirë.
Vërtetimi se pjesa “kontestuese” e Strategjisë është futur në momentin e fundit është edhe befasi e madhe që ka shkaktuar tek Daçiqi, por edhe tek të gjithë në Qeverinë serbe, të cilët kanë pasur rastin ta shohin projektin e Strategjisë dhe të Raportit të KE për përparimin e Serbisë, dhe të cilëve askush nga Brukseli nuk u ka sugjeruar se formulimi kontrovers do të përdorët.
Bashkëbiseduesit e gazetës “Danas” thonë se diplomatët perëndimor, sidomos të vendeve më të fuqishme të BE, gjithashtu janë të brengosur për shkak të deklaratave “të ngutshme dhe të ashpra” të Daçiqit se ‘tash është rrezikuar vazhdimi i dialogut ndërmjet Beogradit e Prishtinës’.
Diplomatët në Beograd zbutjen e retorikës së Daçiqit të enjten, pas sqarimit nga Shtefan Fule në Beograd, se “KE nuk po kërkon nga Serbia njohjen e pavarësisë së Kosovës”, e konsiderojnë skenar veç të parë, respektivisht më nuk i befasojnë, siç thonë, këto “eksese nxehtë-ftohtë të kryeministrit”.
Ngjashëm vlen edhe për presidentin e Serbisë, Tomislav Nikoliq i cili ka nxitur shqetësim të ri me mohimin e gjenocidit në Srebrenicë, para dy dite në Romë. Sjellja “konfuze” e njerëzve të parë të shtetit në Perëndim nuk do të mund të durohet edhe gjatë kohë dhe gjithnjë e më shpesh, si tash në Strategji, do të dërgohen mesazhe të qarta se çka pritet nga Serbia, thonë diplomatët perëndimor në Beograd.
Ata megjithatë shpresojnë se tre njerëz kyç në Serbi – Nikoliqi, Daçiqi dhe Aleksandar Vuçiq, nën-kryeministër i parë i ngarkuar për të gjitha shërbimet e sigurimit dhe luftën kundër korrupsionit e kriminalitetit dhe ministër i Mbrojtjes, “më në fund do të përputhen”.
Sipas mendimit të ambasadorëve, „Vuçiq po e kryen punën më të mirë dhe po e tërheq tërë qeverinë “, ndërsa Daçiq e Nikoliq me deklaratat e veta, po “frenojnë“. Vuçiq ka veçanërisht besim të rëndësishëm të gjermanëve të cilët, në njëfarë mënyre, në emër të anëtarëve më të fuqishëm të BE e kanë marrë zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Sepse, siç thonë diplomatët e huaj, Berlini e ka humbur besimin vitin e kaluar në demokratët e Tadiqit dhe i është kthye “përparimtarëve”, kurse Vuçiqin e sheh si person të vendosur për t’i mbajtur premtimet.
Por pavarësisht nga kjo, gjermanët nuk do të kenë edhe shumë durim për endjet e tilla të Serbisë. Ata duan të shohin punë të përkushtuar e të zellshme të Beogradit në përmirësimin e marrëdhënieve me Kosovën, që do të thotë se Serbia duhet t’i zbatojë marrëveshjet e arritura me Prishtinën, në çka po vonohet me të madhe, e që është konstatuar në dokumentin e KE të publikuar më 10 tetor, kurse dialogu ndërmjet Beogradit e Prishtinës duhet të vazhdojë, që atij të qaset seriozisht dhe të zbatohet ajo që dakordohet.
“Shuarja graduale e strukturave paralele të Serbisë në Kosovë nënkuptohet. Krejt çfarë ia ka kumtuar kancelarija Merkel vitin e kaluar Tadiqit mbetet në fuqi“, theksojnë bashkëbiseduesit e gazetës.
Diplomatët perëndimor kanë thënë se ish presidenti Tadiq me vite të tëra, me anë të “diplomacisë së fshehtë” është orvatur ta shtyjë temën e ndarjes së Kosovës gjithnjë derisa, para një viti, edhe kancelarija Merkel edhe sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton nuk ia kanë vu qartë në dijeni se ky opsion “ka rënë” përgjithmonë.
Në qarqet politike ndërkombëtare, kryesisht konsiderohet se ndarja për herë të fundit ka mund të jetë zgjidhje për problemin e Kosovës në periudhën 2005-2006, në negociatat mbi statusin e Kosovës, por kryeministri i atëhershëm, Vojisllav Koshtunica pati vendosur të mbetet i shurdhër ndaj sinjaleve të Perëndimit. Se kjo çështje nuk do të kthehet më në rendin e ditës, sa i përket Uashingtonit, Berlinit.
Londrës e Parisit, u bë e qartë nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, në shkurt të vitit 2008, e pastaj një qëndrim të tillë e kanë marrë edhe të gjitha vendet anëtare të BE, përfshirë edhe ato që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. (RTK)