Kalo te lënda

Pack: Lëreni Jahjagën rehat!

Partitë opozitare dhe qeveria kanë punë më të rëndësishme se sa të humbin kohë duke kërkuar dorëheqjen e presidentes Jahjaga, ka thënë eurodeputetja gjermane, Doris Pack.  Sipas saj, kushtet për Serbinë sa i përket Kosovës nuk kanë ndryshuar dhe ajo duhet ti plotësojë ato nëse dëshiron të anëtarësohet në BE.

Eurodeputetja Doris Pack është e mendimit se  Kosova tani ka probleme të tjera më të rëndësishme për të zgjidhur se sa të merret me presidenten Jahjaga.

“Presidentja Atifeta Jahjaga është duke bërë shumë mirë punën e saj dhe po përfaqëson për mrekulli vendin jashtë. Mendoj se opozita së bashku me qeverinë duhet të merren me zgjidhjen e problemeve me të cilat ballafaqohen përditë qytetarët e Kosovës dhe jo të harxhojnë kohë duke kërkuar dorëheqjen e presidentes”, tha Pack në një intervistë për Radio Kosovën

Ajo ka thënë se pas përfundimit të mbikëqyrjes së pavareësisë tash Kosova është plotësisht e pavarur.

“Bazë për pavarësinë e Kosovës ka qenë plani i Marti Ahtisaarit dhe kjo pavarësi është arritur pikërisht sipas atij plani. Mua më mbetet vetëm të uroj dhe dëshiroj që edhe çështja e veriut të Kosovës të marrë zgjidhje pikërisht ashtu siç është e parashikuar me planin e Ahtisaari”, tha ajo.

Sipas saj, jo vetëm Gjermania, por edhe të gjitha vendet e Bashkimit Evropian janë të interesuar që Kosova dhe Serbia të vazhdojnë dialogun dhe që problemet të zgjidhen në mënyrë paqësore dhe që më në fund Serbia dhe Kosova të zhvillojnë marrëdhënie normale fqinjësore.

Lidhur më qëndrimin e Gjermanisë që u artikulua nga përfaqësuesi i partisë në pushtet CDU, Andreas Schockenhoff, i cili Qeverisë serbe në Beograd i prezantoi shtatë kushte që duhet plotësuar për të marrë datën e fillimit të negociatave për anëtarësim në BE, Pack thotë se kjo nuk është diçka e re.

“Dialogu që është zhvilluar, apo që pritet të vazhdojë mes Serbisë dhe Kosovës ka për qëllim vendosjen marrëdhënieve të mira fqinjësore mes Serbisë dhe Kosovës dhe këtë e dëshirojmë të gjithë, jo vetëm zoti Schockenhoff”.

Pack thotë se asgjë nuk ka ndryshuar sa i përket kushteve të vendosur për Serbinë nga ana e Bashkimit Evropian, “e kushtet janë: të vendosen marrëdhënie fqinjësore të ndërsjella midis Serbisë dhe Kosovës, që të dyja vendet të respektojnë njëra-tjetrën, të shpërbëhen strukturat paralele të Serbisë në veri, që Serbia ta njohë veriun si pjesë integrale të Kosovës dhe që në veri situata të normalizohet plotësisht, ndërsa zgjidhja e vetme dhe më e mirë për këtë është Plani i Ahtisaarit”, tha ajo.

Lini një koment