VV: Kompanitë e PDK-së miliona euro përfitime nga tenderët!
Një dosje me keqpërdorime të pretenduara lëvizja Vetëvendosje e Malishevës ka paralajmëruar ta dorëzojë sot (e hënë) në Prokurori dhe në Agjencinë Antikorrupsion të Kosovës. Sipas këtij subjekti, në këtë komunë prej disa kohësh janë kompanitë e afërta me PDK-në në pushtet që i fitojnë tenderët.
“Prej kohësh i vetmi grup që gëzon mbështetje janë njerëzit e PDK-së dhe kompanitë e tyre”, vlerëson qendra e kësaj lëvizjeje përmes një komunikate të lëshuar për media. Duke u bazuar në raportet e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik kjo lëvizje ka gjetur se nga viti 2008 deri më 2011 Komuna e Malishevës ka dhënë tenderë në vlerë prej 13 milionësh e 383 mijë e 251 eurosh.
Kompanitë që më së shumti kanë përfituar nga këta tenderë, sipas “Vetëvendosjes” janë kompanitë financuese të PDK-së dhe kompanitë private nga radhët e zyrtarëve komunalë nga radhët e PDK-së, të cilat së bashku sipas këtij subjekti kanë përfituar tenderë në vlerë të 10 milionë e 539 mijë e 592 eurosh. Në komunikatën e saj “Vetëvendosja” ka prezantuar listën prej 19 kompanish përfituese që njëherësh janë edhe financuese të PDK-së dhe kompanitë e zyrtarëve publikë që sipas kësaj lëvizjeje janë direkt përfituese të këtyre tenderëve dhe që në të njëjtën kohë shkelëse të ligjit për konflikt interesi.
Kompania “Jehona”, e cila sipas “Vetëvendosjes” e ka financuar PDK-në në vitin 2009 dhe 2010 me 3 mijë e 500 euro është përfituese e 15 tenderëve në komunë, në vlerë prej 2 milionë e 542 mijë e 570 eurosh. Kompania “Beli” që thuhet se ka dhënë në vitin 2010 për PDK-në 1 mijë euro ka fituar 22 tenderë nga komuna në vlerë përafërsisht 1 milion e 600 mijë euro. Kompania “Burimi” ka dhënë për PDK-në 4 mijë euro, ndërkaq ka përfituar 9 tenderë në vlerë 856 mijë e 930 euro. “Shkoza F07” sipas “Vetëvendosjes” ka fituar 5 tenderë në vlerë 714 mijë e 806 eurosh kundrejt vlerës prej 3 mijë e 500 eurove që ka dhënë si financim për PDK-në.
Kompania “MEB-ING” që sipas njoftimit e ka financuar PDK-në në vlerë 2 mijë euro ka përfituar 4 tenderë në vlerë 700 mijë euro. Lëvizja “Vetëvendosje” ka përmendur edhe kompanitë që kanë përfituar tenderë nga komuna duke qenë të familjeve të zyrtarëve komunalë, ku sipas saj ka ardhur në shprehje edhe konflikti i interesit. Rexhep Mazreku, nënkryetar i Komunës së Malishevës, përmendet i pari në këtë kontekst me kompaninë e tij “Ardhmëria” që sipas kësaj komunikate ka përfituar 4 tenderë në vlerë 29 mijë e 319 eurosh. Kompania “Oferta 5”, që thuhet se është pronë e djalit të zyrtarit të Drejtorisë së Urbanizmit, Januz Krasniqi, sipas kësaj komunikate ka përfituar nga komuna 2 tenderë në vlerë të përbashkët 1 milion e 80 mijë e 940 euro, kompania “Ndërtimtari-J” e regjistruar në emër të vëllait të shefit të Urbanizimit, Remzi Javori, sipas “Vetëvendosjes” ka përfituar 8 tenderë në vlerë 54 mijë e 969 euro. “Arbëri-NS” pronë e Naim Selmanajt, vëllait të shefit të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në KK të Malishevës ka fituar nga Komuna e Malishevës 7 tender në vlerë 1 milion e 319 mijë eurosh.
“Meti-AZ” pronë e vëllait të zyrtarit të Prokurimit Nuhi Zulfaj dhe mik- familjar i kryetarit Isni Kilaj, sipas “Vetëvendosjes”, ka fituar 6 tenderë në vlerë 28 mijë e 915 euro. Kompania “Lumi 3” që sipas “Vetëvendosjes” është pronë e vëllait të kryetarit të Grupit Parlamentar të PDK-së në Kuvendin e Komunës, Enver Hotit, ndërkaq thuhet se ka fituar 2 tenderë në vlerë 324 mijë e 91 euro. Këto dhe kompani përfituese me çmime të ndryshme si dhe financuese të partisë në pushtet me shuma të ndryshme, sipas “Vetëvendosjes”, janë vetëm disa nga kompanitë dhe zyrtarët kryesorë që janë të përfshirë në shkelje ligjore. “Zyra e prokurimit publik nuk është më zyrë publike për prokurim, por një zyrë biznesi për realizimin e fitimeve të klientelës së PDK-së”, ka thënë “Vetëvendosje”, e cila ka njoftuar se këtë material veç mediave do t’ua përcjellë edhe Prokurorisë dhe Agjencisë Kundër Korrupsion. Zyrtarë komunalë dhe përfaqësues të kompanive të përmendura të dielën i kanë hedhur poshtë adresimet e “Vetëvendosjes”. Rexhep Mazrreku, nënkryetar i Komunës së Malishevës, i cili është akuzuar edhe për përfshirje direkte në përfitime dhe konflikte interesi ka thënë për gazetën se nuk është në asnjë mënyrë pjesë e kompanisë “Ardhmëria”, e cila është përfituese e tenderëve kryesisht me çmime të ulëta krahasuar me ato të kompanive të tjera.
“Opozita duhet të thotë diçka, por komuna punon sipas ligjit, gjërat janë të precizuara me ligj dhe rregullore dhe askush s’mund t’u shmanget atyre”, ka thënë ai. Edhe Elmi Paçarizi, menaxher i Zyrës së Prokurimit, i ka hedhur poshtë akuzat. “Akuzat janë pa asnjë fakt apo argument, çdo punë në zyrë udhëhiqet sipas procedurave të hapura dhe puna jonë është transparente”, ka thënë Paçarizi. “Në secilin tender është respektuar Ligji i Prokurimit, ndërkaq fituese kanë qenë kompanitë që i kanë respektuar kriteret, derisa kanë fituar gjithnjë kompanitë me çmim më të ulët”, ka theksuar menaxheri i prokurimit. Sipas tij zyrtarët komunalë nuk kanë të bëjnë asgjë me tenderët. Drejtori i kompanisë “Jehona”, që përmendet si njëra nga ato që kanë përfituar tenderë në emër të financimit të partisë në pushtet, të dielën ka thënë se përfitimet e kompanisë së tij nuk kanë të bëjnë aspak me financime partish.
“I kam pas ofertat më të mira… kush s’kish mujtë me i krye punët me ato çmime”, është shprehur ai. Krasniqi e ka pranuar se e ka financuar PDK-në, por ka thënë se ai ka financuar edhe parti të tjera. “Sa herë kam pas mundësi e kam ndihmu cilëndo parti shqiptare”, ka theksuar Krasniqi. “Po unë nuk punoj vetëm në Malishevë, kam punë edhe në Klinë, Vushtrri, në Prishtinë e deri në Han të Elezit dhe në të gjitha këto komuna nuk udhëheq PDK-ja, kam punu në Malishevë edhe kur pushtetin e ka pas në dorë LDK-ja”, ka nënvizuar ai./standardi.info